Vendosni fjalën kyçe....

Moska hakmerret ndaj Londrës, fut në listën e zezë 18 shtetas britanikë


Rusia u hakmorr ndaj Britanisë të mërkurën pasi futi në listën e zezë 18 shtetas britanikë dhe nga një shtetas nga tre vende të tjera perëndimore në përgjigje të “kursit të vijueshwm konfrontues” të Londrës, si dhe fabrikimit të narrativave anti-Moskë dhe mbështetjes për regjimin “neonazist” të Ukrainës.

Ministria e Jashtme lëshoi një listë gazetarësh dhe punonjësish të organizatave joqeveritare, firmave konsulente dhe grupeve të ekspertëve nga Mbretëria e Bashkuar, SHBA-ja, Kanadaja dhe Irlanda, të cilëve u është ndaluar hyrja në Rusi.

“Puna për zgjerimin e listës së ndaluar të Rusisë do vijojë”, tha ministria në një deklaratë.

Sipas deklaratës, individët e përfshirë në listën e zezë po kryenin një “fushatë shpifjeje” duke fabrikuar narrativa anti-ruse me qëllim dëmtimin e imazhit global të Moskës dhe pwrdorimin e “regjimit neonazist në Kiev”.

Moska ka paralajmëruar se ata që përhapin “dezinformata” në lidhje me “operacionin ushtarak special” të Rusisë dhe ata që mbështesin politika më të ashpra perëndimore dhe rritje të mbështetjes për Kievin do përballen me veprime të tilla, thuhet në deklaratë, shkruan AA.

Deklarata kritikoi gjithashtu “propagandistët britanikë”, duke thënë se veprimet e tyre “të papërgjegjshme” destabilizojnë tregjet globale të energjisë dhe i shmangin burimet perëndimore nga zhvillimi ndërkombëtar në “ushqyerjen e militarizmit të Kievit”, gjë që ata argumentojnë se u sjell dobi industrive të tyre të mbrojtjes.

Ministria pretendoi se kjo ka një ndikim negativ në vendet e Jugut Global, të cilat po merren me forma të reja të neokolonializmit perëndimor pas kolonializmit historik.

“Një dëm i tillë kolateral duket i parëndësishëm për Londrën dhe aleatët e saj, pavarësisht pretendimeve retorike për mbrojtjen e vlerave universale në konfliktin ukrainas”, tha ajo.

Ministria paralajmëroi se Britania mund të përdorë “mjete propagande” të ngjashme kundër çdo entiteti ndërkombëtar, veprimet e të cilit nuk përputhen më me interesat e Perëndimit kolektiv.