Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli mobilizon 60 mijë rezervistë para ofensivës së planifikuar në qytetin e Gazës


Izraeli ka njoftuar se po mobilizon rreth 60 mijë rezervistë në kuadër të përgatitjeve për një ofensivë të gjerë tokësore, me objektivin për të pushtuar dhe marrë nën kontroll të plotë qytetin e Gazës.

Një zyrtar i ushtrisë izraelite tha se rezervistët do të paraqiten për shërbim në shtator, ndërsa pjesa më e madhe e trupave që do të marrin pjesë në këtë operacion do të jenë ushtarë aktivë, përcjell BBC.

Ai shtoi se aktualisht trupat po veprojnë në zonat e Zeitounit dhe Xhabalias, si pjesë e përgatitjeve për planin që u miratua të martën nga ministri i Mbrojtjes, Izrael Katz, dhe që pritet t’i paraqitet kabinetit të sigurisë brenda javës.

Sipas planit, qindra mijëra palestinezë pritet të urdhërohen të evakuohen drejt strehimeve në jug të Rripit të Gazës.

Ndërkohë, Kombet e Bashkuara dhe organizatat joqeveritare kanë paralajmëruar se një ofensivë e re dhe zhvendosja masive e popullsisë do të ketë një “ndikim humanitar të tmerrshëm” pas 22 muajsh lufte.

 

Ushtria izraelite: Faza e radhës e “Karrocat e Gideonit”

Në një deklaratë të ushtrisë izraelite (IDF) thuhet se urdhrat për mobilizimin e 60 mijë rezervistëve u lëshuan të mërkurën si pjesë e përgatitjeve për “fazën e radhës të Operacionit Karrocat e Gideonit”, i nisur në maj.

Përveç kësaj, 20 mijë rezervistë të tjerë që tashmë janë të mobilizuar do të qëndrojnë edhe më tej në shërbim.

Një zyrtar ushtarak bëri të ditur se pesë divizione do të marrin pjesë në ofensivë, e cila do të jetë “graduale” dhe “precize”. Shefi i Shtabit, gjenerallejtnant Eyal Zamir, pritet të finalizojë planet në ditët e ardhshme.

Gazeta Haaretz citoi ministrin e Mbrojtjes, Katz, të ketë deklaruar: “Pasi operacioni të përfundojë, Gaza do të ndryshojë fytyrën dhe nuk do të duket më siç ishte në të kaluarën.”

Ai po ashtu ka miratuar një plan për të “akomoduar” banorët e Gazës në jug të territorit, përfshirë zonën bregdetare al-Mawasi, ku ushtria ka nisur ngritjen e qendrave të shpërndarjes së ushqimit dhe spitaleve fushore.

Kryeministri Benjamin Netanyahu ka thënë se objektivat kryesore janë lirimi i të gjithë pengjeve të mbajtura nga Hamasi dhe “përfundimi i mposhtjes së grupit të armatosur palestinez”.

 

Situata në terren dhe paralajmërimet humanitare

Të mërkurën, ushtria izraelite njoftoi se Brigada Givati kishte rifilluar operacionet në qytetin Xhabalia dhe në periferi të Gazës, ku po shkatërron strukturat ushtarake mbi dhe nën tokë, duke eliminuar militantë dhe duke konsoliduar kontrollin operativ.

Sipas ushtrisë, civilët po udhëzohen të zhvendosen në jug për “të ulur rrezikun e dëmtimeve”.

Nga ana tjetër, Mahmoud Bassal, zëdhënës i agjencisë së Mbrojtjes Civile të drejtuar nga Hamasi, tha për AFP se situata në lagjet Zeitoun dhe Sabra është “shumë e rrezikshme dhe e padurueshme”, pasi bombardimet vijojnë ndërprerë.

Agjencia palestineze e lajmeve Wafa raportoi se një sulm ajror izraelit në kampin e refugjatëve Shati vrau pesë anëtarë të një familjeje, përfshirë tre fëmijë.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë të Gazës, e drejtuar nga Hamasi, të paktën 62,122 persona janë vrarë që nga tetori i vitit 2023, kur Izraeli nisi ofensivën në përgjigje të sulmit të Hamasit në jug të Izraelit, ku u vranë rreth 1,200 njerëz dhe u morën peng 251 të tjerë.

 

Paralajmërimi i OKB-së dhe OJQ-ve

Agjencitë e OKB-së dhe OJQ-të publikuan një deklaratë të përbashkët, ku theksuan:

“Plani izraelit për të intensifikuar operacionet ushtarake në qytetin e Gazës do të ketë një ndikim humanitar të tmerrshëm tek njerëzit tashmë të rraskapitur, të uritur, të pikëlluar, të zhvendosur dhe të privuar nga nevojat bazë për mbijetesë. Detyrimi i qindra mijëra njerëzve për të lëvizur në jug është një recetë për katastrofë dhe mund të përbëjë transferim të detyruar.”

Sipas tyre, zonat jugore janë tashmë “të mbipopulluara dhe të papërshtatshme për të mbajtur njerëzimin në shkallë kaq të gjerë”.

Ata paralajmëruan se spitalet në jug po funksionojnë disa herë mbi kapacitetin dhe marrja e pacientëve të tjerë nga veriu do të ketë pasoja fatale.