
Djali më i madh i Princeshës së Kurorës së Norvegjisë është akuzuar për 32 vepra penale, përfshirë katër akuza për përdhunim, thotë një prokuror.
Akuzat kundër Marius Borg Hoiby, 28 vjeç, përfshijnë abuzimin e një ish-partnereje dhe shkelje të urdhrave të kufizimit ndaj një ish-partnereje tjetër.
Ai lindi nga një marrëdhënie përpara se Princesha e Kurorës Mette-Marit të martohej me Princin e Kurorës Haakon, i cili është mbreti i ardhshëm i Norvegjisë.
Hoiby mohon akuzat më të rënda kundër tij, por planifikon të deklarohet fajtor për disa akuza më të lehta kur të fillojë gjyqi, tha avokati i tij Petar Sekulic për agjencinë e lajmeve Reuters.
Ai mund të përballet me deri në 10 vjet burg nëse shpallet fajtor për akuzat më të rënda.
Ai është akuzuar gjithashtu për filmimin e organeve gjenitale të një numri grash pa dijeninë ose pëlqimin e tyre, u tha prokurorja Sturla Henriksbo gazetarëve, shkruan BBC.
Duke folur për akuzat kundër djalit të tij të adoptuar, Princi i Kurorës Norvegjeze Haakon tha të martën se varet nga gjykata se çfarë do ndodhë, raportoi televizioni publik norvegjez NRK.
Thuhet se katër përdhunimet e dyshuara kanë ndodhur midis viteve 2018 dhe 2024, me njërin prej tyre që dyshohet se ka ndodhur pas arrestimit të tij, sipas NRK.
Hoiby, i cili nuk ka titull mbretëror apo detyra zyrtare, u arrestua tre herë të ndryshme vitin e kaluar, në gusht, shtator dhe nëntor. Në qershor, policia tha se ai dyshohej për tre përdhunime dhe 23 vepra të tjera penale. Prokurori tha se gjyqi mund të zhvillohet në janar dhe të zgjasë rreth gjashtë javë.