Vendosni fjalën kyçe....

Rruga e Arbrit në gjendje të mjeruar, banorët kërkojnë ndihmë urgjente



Rruga nacionale nga Bulqiza deri tek ura e Çerenecit, pjesë e aksit të Rrugës së Arbrit, në fshatin Peladhi, prej dy vitesh ndodhet në gjendje të degraduar.

Njëri krah i saj, nga ura e Çerenecit në drejtim të Bulqizës, është bërë tejet i rrezikshëm për drejtuesit e mjeteve për shkak të gropave të shumta.

“Rruga është kthyer në burim aksidentesh. Për t’iu shmangur gropave, shoferët detyrohen të kalojnë në anën e kundërt të karrexhatës. Kemi pasur aksidente, fatmirësisht pa humbje jete, por me dëme në bagëti dhe mjete,” – tha një nga banorët e zonës.

Në këto kushte, banorët e Peladhisë dhe drejtuesit e mjeteve u bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse që të marrin masa për riparimin e këtij aksi.

Përdoruesit e rrugës kërkojnë gjithashtu përmirësimin e sinjalistikës, me vendosjen e vijës ndarëse të pandërprerë dhe kufizimin e shpejtësisë, për të shmangur parakalimet e rrezikshme dhe aksidentet e mundshme.