Vendosni fjalën kyçe....

Rritja e kredisë ul kapitalizimin e sektorit bankar për të tretin tremujor radhazi


Raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit të sektorit bankar pësoi rënie për të tretin tremujor radhazi.

Sipas Bankës së Shqipërisë, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit në fund të qershorit zbriti në 19.25%, nga 19.5% që kishte qenë në tremujorin e mëparshëm. Ky tregues ka pësuar gjithashtu një rënie shumë të lehtë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në mesin e vitit të kaluar, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit kishte qenë 19.27%.

Rënia e raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit është ndikuar sidomos nga rritja e shpejtë e kredisë, por pjesërisht edhe nga rënia e fitimeve dhe shpërndarja e dividendëve nga aksionerët e bankave.

Raporti minimal bazë i mjaftueshmërisë së kapitalit për sektorin bankar është 12%, por pas vitit 2019 ka nisur aplikimi i shtesave të tjera të lidhura me kuadrin e ri makroprudencial, si edhe atë për rimëkëmbjen dhe ndërhyrjen e jashtëzakonshme. Kjo i ka rritur ndjeshëm kërkesat për kapital, duke ndikuar edhe në një rritje graduale të niveleve mesatare të këtij treguesi për sektorin.

Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit mat vlerën e kapitalit rregullator të sektorit bankar në raport me vlerën e aktiveve të ponderuara me koeficientët përkatës të rrezikut.

Vlera e kapitalit rregullator të sektorit bankar në mesin e këtij viti arriti në 212.4 miliardë lekë, në rritje me 1.5% krahasuar me një tremujor më parë dhe me 9% krahasuar me një vit më parë. Kapitali rregullator i sektorit bankar shqiptar në pjesën dërrmuese është kapital i nivelit të parë, që përfshin instrumentet më cilësore të kapitalit, kryesisht kapitalin e paguar aksioner, primet e aksioneve, rezervat dhe fitimet e pashpërndara.

Nga ana tjetër, vlera e aktiveve të ponderuara me koeficientë rreziku në mesin e vitit 2025 arriti në 1103 miliardë lekë, në rritje me 2.7% krahasuar me tremujorin e parë dhe me 9.3% me bazë vjetore. Grupi kryesor i aktiveve me rrezik në bilancet e bankave janë kreditë për sektorin privat.

Rritja e kërkesave për kapital i bën bankat më të sigurta ndaj humbjeve të mundshme në të ardhmen. Por, nga ana tjetër, nivelet e larta të mjaftueshmërisë së kapitalit ndikojnë në uljen e rentabilitetit dhe në rritjen e kostove që i përcillen publikut.

Sot sektori bankar për çdo 100 lekë kredi të dhënë ka pothuajse 20 lekë kapitale të vetat. Nevoja për rritje të kapitalit dikton marzhe dhe kosto fikse më të larta për huamarrësit dhe publikun shqiptar në përgjithësi.

Sektori bankar ka kërkuar me këmbëngulje prej vitesh që së paku kërkesat shtesë për kapital të aplikohen sipër një pragu minimal prej 8%, siç ndodh në Eurozonë. Por, sipas Bankës së Shqipërisë, një gjë e tillë mund të ndodhë vetëm pas certifikimit të ekuivalencës së mbikëqyrjes bankare në Shqipëri. Ky proces ka nisur në fund të vitit të kaluar ka si qëllim të certifikojë që kuadri i mbikëqyrjes bankare në Shqipëri është i barazvlefshëm me atë të BE-së. Pas ekuivalenca e mbikëqyrjes të jetë certifikuar, Banka e Shqipërisë ka lënë të hapur mundësinë që kërkesa bazë e mjaftueshmërisë së kapitalit edhe në Shqipëri të ulet në nivelin 8%./Monitor