Vendosni fjalën kyçe....

Rama kritikon gjyqtarin Balliu për bllokimin e pallatit ku do zhvendosej Kadastra: Në krah të ndërtuesve të paligjshëm


 

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish ndaj gjyqtarit Hazbi Balliu, i cili vendosi të bllokojë vendimin për konfiskimin e një pallati në kryeqytet, ndërtesë pa leje ku ishte planifikuar zhvendosja e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës (ASHK).

Rama ka publikuar një foto nga arsyetimi i vendimit të gjyqtarit Balliu dhe ka kritikuar ashpër përfshirjen e prokurorëve dhe gjyqtarëve në favor të ndërtuesve të paligjshëm.

“Më në fund gjykatësi Balliu e nxorri arsyetimin e shkruar të vendimit të tij skandaloz, duke marrë në mbrojtje palën përfaqësuese të një pallati të ndërtuar totalisht pa leje dhe të konfiskuar në Tiranë, ku ishte planifikuar të sistemoheshin zyrat e ASHK-së, që prej disa vitesh punon në një objekt të vjetër e të dëmtuar seriozisht nga tërmeti. Si mund të angazhohen prokurorë dhe gjyqtarë të republikës në favor të ndërtuesve të paligjshëm kërkon të kesh akses në trurin e prokurores Gjelit ose të gjyqtarit Balliu. Por si mund të shkruajë një gjyqtar se ASHK nuk ka prova që nuk mund të qëndrojë në një godinë ku bien tavanet dhe muret, kjo kërkon një durim heroik në pritje që organet e kontrollit dhe qeverisjes së gjyqësorit të zgjohen nga gjumi i tyre, gjithnjë e më i rrezikshëm për fatet e Reformës në Drejtësi”, shkruan Rama.

Kryeministri ka theksuar se në foto shfaqet (mos)arsyetimi i gjykatës Balliu, si dhe gjendja e godinës së vjetër të ASHK-së, që për Balliun duket e pranueshme për sa kohë nuk ka viktima.