
Drogë me vlerë 500 mijë euro është sekuestruar pas një operacioni policor në zonën e Yzberishtit në Tiranë.
Gjatë kontrollit në një banesë, efektivët kapën 17 kilogramë kanabis në formë çokollate dhe 22.5 kilogramë vaj kanabisi, një pistoletë, një armë gjahu dhe një sasi kokaine.
Në pranga ka përfunduar pronari i banesës, 61-vjeçari me iniciale Sh.K. i cili dyshohet se e shiste drogën në zonë.
Njoftimi
“Zbulohet në Yzberisht, një banesë e përshtatur për përgatitjen e lëndëve narkotike Kanabis dhe Kokainë, në trajta dhe forma të ndryshme, me qëllim shitjen.
Sekuestrohen nga banesa rreth 17 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike Kanabis (çokollatë) dhe 22.5 litra vaj Kanabisi, të dyja me vlerë totale rreth 500 000 euro, një sasi Kokaine, 1 armë zjarri pistoletë dhe 1 armë gjahu.
Arrestohet në flagrancë pronari i banesës.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, si rezultat i hetimeve të kryera me metoda proaktive, për disa muaj, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, finalizoi operacionin policor të koduar “Shape”, si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi Sh. K., 61 vjeç, banues në Yzberisht.
Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë kryer kontroll në banesën e 61-vjeçarit, ku gjetën dhe sekuestruan rreth 17 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike Kanabis (çokollatë), e ndarë në 69 paketime, 22.5 litra vaj Kanabisi (të dyja sasitë me rreth 500 000 euro), rreth 65 gramë lëndë të dyshuar narkotike Kokainë, 1 armë zjarri pistoletë dhe 1 armë gjahu.
Nga hetimet dyshohet se ky shtetas siguronte sasi të mëdha të Kanabisit dhe Kokainës, i përgatiste në trajta dhe forma të ndryshme dhe i shiste në Yzberisht.
Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë që mund të jenë të përfshirë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.”