Vendosni fjalën kyçe....

Berisha akuzon INSTAT-in: Mallrat tranzit për në Kosovë regjistrohen si eksporte shqiptare


Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një konferencë për shtyp nga selia blu, akuzoi qeverinë dhe Institutin e Statistikave (INSTAT) për manipulim të shifrave zyrtare të ekonomisë.

Ai tha se në të dhënat e eksporteve përfshihen edhe mallrat që kalojnë thjesht në tranzit për në Kosovë.

“Nuk ka mashtrim më banal, më primitiv,” – u shpreh Berisha.

“Shkarkon Kosova naftë në Durrës me cisterna për ta transportuar me autobote në Kosovë, dhe ky quhet eksport i Shqipërisë në Kosovë. Ky është transit.”

Duke e krahasuar këtë praktikë me regjistrimin e vizitorëve në aeroportin e Rinasit si turistë, Berisha tha se qeveria po mashtron opinionin publik dhe partnerët ndërkombëtarë.

“Identike me skemën e turistëve të Rinasit. Vijnë nga rajoni për të marrë linjat e lira, EasyJet apo Ryanair, dhe këta Edi Rama i regjistron turistë, paçka se ata maksimumi mund të pinë një kafe në aeroport dhe as nuk flenë dhe as nuk shpenzojnë asgjë,” – theksoi ai.

Berisha paralajmëroi se manipulimi i statistikave dëmton besueshmërinë e Shqipërisë në sytë e Bashkimit Europian, duke theksuar se të dhënat e INSTAT-it përdoren nga EUROSTAT.

Ai shtoi se këto mashtrime shërbejnë për të mbuluar, sipas tij, instalimin e një “narkoekonomie” në Shqipëri:

“Me këtë akt, Edi Rama kërkon të mbulojë me çdo kusht instalimin e narkoekonomisë në narkoshtetin e parë dhe të vetëm në Europë. Narkoekonomia ka sjellë rënie progresive të prodhimit industrial, bujqësor dhe të eksporteve në tre vitet e fundit. Ekonomia shqiptare bazohet tek narkondërtimi, i cili është tre herë më i lartë se mesatarja e BE-së,” – deklaroi ai.

Berisha përfundoi duke e quajtur “akt të paprecedent” regjistrimin e mallrave tranzit, si nafta e shkarkuar në Porto Romano që transportohet më pas drejt Prishtinës, si eksporte shqiptare.