
Mijëra banorë kanë nisur të largohen nga qyteti i Gazës ditët e fundit, nga frika e një ofensive tokësore izraelite, pasi kabineti i sigurisë së Izraelit ka miratuar planet për marrjen nën kontroll të qytetit, me mbështetjen e plotë të presidentit amerikan Donald Trump. Zyrtarët izraelitë vlerësojnë se deri në 800 mijë palestinezë mund të detyrohen të evakuohen nëse operacioni fillon, përcjell YNetNews.
Aktualisht, ushtria izraelite (IDF) kontrollon rreth 75% të Rripit të Gazës, pjesa më e madhe e të cilit është shkatërruar dhe mbetur pa infrastrukturë bazë. Qindra mijëra banorë janë shpërngulur disa herë që prej fillimit të luftës, ndërsa shumë familje nga lagjet lindore, të goditura rëndë nga bombardimet, po zhvendosen drejt perëndimit ose jugut, pavarësisht mbipopullimit dhe mungesave.
Aktivistët humanitarë paralajmërojnë për një katastrofë të re. “Njerëzit nuk mund të përballojnë një zhvendosje tjetër,” tha Dr. Mahmoud Yahya. “Qyteti i Gazës është tashmë i mbushur me banorë të ardhur nga veriu dhe lindja. Çdo plan për marrjen e tij do të shkaktonte një katastrofë të pakontrollueshme.”
Ndërkohë, banorët ndahen mes dëshpërimit dhe shpresës së brishtë. Disa po përgatiten të marrin pjesë në një protestë të enjten në qytetin e Gazës, duke kërkuar fundin e luftës. Të tjerë i drejtohen përpjekjeve diplomatike të udhëhequra nga Egjipti, ku po merr pjesë edhe kryeministri i Katarit. “Me ndihmën e Zotit, nuk do të ketë një zhvendosje tjetër në jug,” u shpreh banori lokal, Abu Suhail. “Egjipt, të lutem, bëje këtë luftë të marrë fund.”
Situata humanitare mbetet kritike, me mungesë të rëndë ushqimi, uji, ilaçesh dhe strehimi. Ushtria izraelite ka njoftuar përgatitjen e një plani humanitar me tenda dhe furnizime për banorët e evakuuar, por sipas ekonomistit palestinez Mohammed Abu Jayab, do të duhen të paktën 100 mijë tenda të reja. “Ato që ekzistojnë janë të shkatërruara dhe nuk mbajnë shiun. Asnjë e re nuk ka mbërritur për shkak të kufizimeve në kufi,” tha ai.
Megjithëse nuk është dhënë ende urdhër zyrtar për evakuim, shumë familje kanë zgjedhur të largohen paraprakisht. “Njerëzit kanë mësuar nga përvoja – më mirë të largohesh herët, sesa të befasohesh,” theksoi Abu Jayab.