Vendosni fjalën kyçe....

Bardhi nxjerr videon: Balluku kontrolloi votën përmes patronazhistëve, presion qytetarëve


Kreu i grupit parlamentar demokrat Gazment Bardhi ka akuzuar ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku për ngritjen e një skeme kontrolli e shantazhi ndaj votuesve në zgjedhjet e 11 majit.

Ai ka shfaqur një video, e cila sipas tij, fakton kontrollin e votës së qytetarëve nga patronazhistët e Ballukut.

Bardhi përsëriti së zgjedhjet e 11 majit nuk ishin as të lira dhe as të barabarta dhe se votat u blenë me lekët e krimit.

Episodi 5/ VOTIM I KONTROLLUAR = FARSË ELEKTORALE

Neni 1 i Kushtetutës së Shqipërisë përcakton se “qeverisja bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira dhe të barabarta”. Zgjedhjet e 11 Majit nuk ishin as të lira dhe as të barabarta. Jo vetëm që shteti u shkri me partinë në pushtet, por kjo e fundit njëlloj si një bandë terroriste cenoi hapur lirinë e zgjedhësve për të votuar në fshehtësi dhe të pa kontrolluar.

Pamjet zyrtare të KQZ provojnë sesi në QV 1813, njësia administrative Dushk, Bashkia Lushnje, patronazhistët e PS kontrolluan votimin e qytetarëve ditën e zgjedhjeve, duke dhunuar lirinë e tyre për të votuar të pa kontrolluar.

Belinda Balluku urdhëruesja e kësaj skeme të shtrirë në të gjitha QV që kanë pamje me videokamera, e kishte të qartë se vetëm përmes skemave mafioze mund të kontrollonte çdo votë të blerë me para korrupsioni. Qytetarët presin ndëshkimin e terroristëve elektoral, dhe është detyrë e organeve të drejtësisë që të mos mbyllin sytë përpara krimit elektoral.