
Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj dy zyrtarëve komunalë, të cilët akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, në lidhje me rrënimin e kompleksit “Saraji i vjetër”, që ishte pjesë e listës së trashëgimisë kulturore me mbrojtje të përhershme, përcjell REL.
Sipas Prokurorisë, vepra është kryer në periudhën 5 janar 2024 – 4 prill 2024, kur P.B., në cilësinë e drejtorit për urbanizëm, dhe E.Th., si bashkëpunëtore profesionale, kanë tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare dhe “i shkaktuan dëm Ministrisë së Kulturës duke mundësuar përfitim të dobisë pasurore për investitorin A.Xh.”.
Prokuroria pretendon se drejtori i urbanizimit ka qenë në dijeni se kompleksi “Saraji i vjetër” ishte nën mbrojtje të përhershme kulturore dhe se rrënimi i tij ishte i ndaluar, por nuk e ka parandaluar shembjen. Ndërkaq, E.Th. dyshohet se ka lëshuar vendimin për rrënimin e objektit dhe më pas lejen për ndërtimin e një kompleksi banesor në të njëjtin vend.
Me këto veprime, sipas Prokurorisë, trashëgimisë kulturore i është shkaktuar “dëm i pariparueshëm” në vlerë prej gati 16 milionë eurosh.
Kompleksi “Saraji i vjetër” ishte futur në listën e mbrojtjes së përhershme në mars 2024, ndërsa u rrënua më 27 maj të po atij viti.
Në gusht 2024, ministri në detyrë i Kulturës, Hajrulla Çeku, kishte dorëzuar kallëzim penal ndaj kryetarit të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, lidhur me këtë rast. Totaj, nga ana e tij, i kishte mohuar akuzat, duke deklaruar se autoritetet komunale nuk kishin përgjegjësi për rrënimin e kompleksit.