
Familja e Martin Canit, 14-vjeçarit që u vra me thikë nga bashkëmoshatari i tij një vit më parë, kanë reaguar pas ngjarjes së rëndë të dy ditëve më parë, ku 14-vjeçari Erald Xhejo u qëllua për vdekje më thikë nga bashkëmoshatari Enedio Guri, ngjarje e ndodhur në Pirg të Maliqit.
Në reagimin e familjes Cani theksohet se mbyllja e TikTok është vetëm pretekst politik nga ana e qeverisë.
Familja Cani i kërkon qeverisë masa konkrete e jo reforma kozmeetike sa për konsum publik.
Deklarata e familjes Cani
“Megjithë mbylljen e rrjetit social TikTok nga qeveria, një i mitur tjetër u vra nga një bashkëmoshatar në Maliq. Kjo tragjedi e re tregon qartë se mbyllja e TikTok nuk ishte zgjidhje, por vetëm një pretekst politik. Kush e ka radhën që të fajësohet tani për këtë krim të rëndë? Snapchat apo Instagram?
Ne kërkojmë që qeveria të ndërmarrë masa konkrete, jo thjesht reforma kozmetike për opinion publik. Kërkojmë veprime të dukshme dhe efektive për përmirësimin e sigurisë në shkolla, forcimin e bashkëpunimit me familjet, angazhimin e komunitetit dhe fuqizimin e sistemit shëndetësor. Vetëm me masa të tilla mund të parandalohen tragjedi të tjera dhe të shpëtohen jetë fëmijësh.
Martini dhe Eraldi nuk u vranë prej rrjeteve sociale. Ata u vranë nga mungesa e sigurisë, nga papërgjegjësia institucionale dhe nga dështimi i sistemeve që duhet të mbrojnë jetën e fëmijëve. Mbyllja e një aplikacioni nuk e kthen mbrapsht realitetin dhe nuk zgjidh problemet.
Në këtë moment dhimbjeje të madhe, shprehim ngushëllimet më të sinqerta për nënën dhe familjen e të miturit të vrarë në Maliq. E dimë se çfarë do të thotë të humbasësh dritën e jetës, dhe ndajmë me ta dhimbjen e pamasë. Zëri ynë bashkohet me të tyren në thirrjen për drejtësi dhe për masa të vërteta, që asnjë nënë tjetër të mos derdhë lot për fëmijën e saj. Familja Cani!”.