
Deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, ka reaguar lidhur me protestat që po zhvillohen në Serbi, duke i cilësuar si dëshmi të krizës së thellë në të cilën ndodhet qeveria e presidentit Aleksandar Vuçiç.
Në një postim në Facebook, Shehu tha se këto protesta janë një sinjal jo vetëm për Beogradin, por për të gjitha regjimet e Ballkanit Perëndimor që ai i quajti “pseudo-demokratike, të korruptuara dhe nën diktatin e krimit”.
Duke iu referuar thënieve të Heminguej dhe John Donne, ai theksoi se “tingujt e protestave duhet të ndihen edhe në Shqipëri”.
Sipas tij, vendi ynë ndodhet nën një “rregjim anadollak, të mbytur nga korrupsioni, lidhjet me krimin dhe antiperëndimor”. Shehu shtoi se rrëzimi i këtyre regjimeve dhe hapja e rrugës për demokracinë, drejtësinë dhe integrimin europian është tashmë një domosdoshmëri.
“Shqiptarët, populli më pro-perëndimor dhe me aspiratë të thellë europiane, nuk duhet thjesht të dëgjojnë këto kembana, por t’i bëjnë ato të tingëllojnë fort brenda dhe jashtë kufijve tanë”, shkroi Shehu.