
Grupet e armatosura palestineze në Rripin e Gazës po shqyrtojnë mundësinë e zhvendosjes së pengjeve izraelite në Gaza City, në përpjekje për të lidhur fatin e tyre me ofensivën e paralajmëruar të Izraelit për marrjen nën kontroll të qytetit më të madh të enklavës, shkruan e përditshmja “Asharq Al-Awsat”. Ky skenar raportohet në një kohë kur në Tel Aviv po zhvillohen protesta masive për kthimin e pengjeve dhe arritjen e një armëpushimi, përcjell YNetNews.
Burime nga organizatat terroriste i thanë gazetës se ky opsion është ende në diskutim dhe nuk është marrë një vendim përfundimtar, por synimi është të rritet presioni mbi kryeministrin Benjamin Netanyahu duke i lidhur vendimet e tij me jetën e pengjeve. Deri tani, strategjia e Hamasit ka qenë ruajtja e jetës së pengjeve me qëllim shkëmbimin e tyre me të burgosur palestinezë dhe përdorimin si kartë negociuese për një marrëveshje armëpushimi.
Në të njëjtën kohë, ushtria izraelite po finalizon planet për ofensivën në Gaza City. Shefi i Shtabit Eyal Zamir u njoh të dielën me planin, i cili pritet t’i kalojë për miratim ministrit të Mbrojtjes, Izrael Katz, dhe më pas kryeministrit Netanyahu e kabinetit të sigurisë. Megjithatë, ende nuk është caktuar një datë për diskutimin final.
Ndërsa Izraeli insiston se kërkon vetëm një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe jo një marrëveshje të pjesshme, burime në qeveri kanë pranuar se opsioni i dytë nuk është përjashtuar plotësisht. Shtetet e Bashkuara, ndërkohë, po përgatisin një plan të mundshëm me faza, që do të nisë me lirimin e një grupi pengjesh dhe hapa drejt përfundimit të luftës, duke vendosur Izraelin përballë një dileme të re.