Vendosni fjalën kyçe....

Putin pranon parimisht garancitë e sigurisë për Ukrainën, Trump dhe aleatët evropianë diskutojnë modelin e NATO-s



I dërguari i posaçëm i SHBA-së, Steve Witkoff, deklaroi të dielën se presidenti rus Vladimir Putin është pajtuar në samitin me Donald Trump që të lejojë SHBA-në dhe aleatët evropianë të ofrojnë garanci sigurie për Ukrainën, të ngjashme me mbrojtjen kolektive të nenit 5 të NATO-s. Witkoff e përshkroi këtë si një koncesion “revolucionar”, duke theksuar se është hera e parë që dëgjohet për një hap të tillë nga Moska, përcjell REL.

Shefja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, mirëpriti gatishmërinë e Uashingtonit për të kontribuar në këto garanci, ndërsa presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky falënderoi SHBA-në, por nënvizoi se shumë hollësi mbeten të paqarta. “Duhet të sigurohemi që garancitë të funksionojnë në praktikë dhe anëtarësimi në BE është pjesë e tyre”, tha Zelensky.

Nga ana tjetër, Witkoff mbrojti vendimin e Trump-it për të mos insistuar mbi një armëpushim të menjëhershëm, duke thënë se është bërë përparim i madh drejt një marrëveshjeje paqeje gjithëpërfshirëse. Ndërkohë, Sekretari i Shtetit Marco Rubio paralajmëroi se nëse nuk arrihet paqja, do të ketë “pasoja shtesë”, duke pranuar se bisedimet ende janë larg një marrëveshjeje përfundimtare.

Të hënën, Zelensky pritet të takohet në Shtëpinë e Bardhë me Trump-in, i shoqëruar nga liderët kryesorë evropianë, për të diskutuar hapat e ardhshëm. Ndërsa Perëndimi sheh mundësi për një kornizë sigurie të re për Ukrainën, kritikët paralajmërojnë se strategjia e Putinit për negociata të gjata mund të shfrytëzohet për të fituar kohë dhe për të intensifikuar luftën në terren.