
Shefi i kabinetit të presidentit iranian, Mohsen Haji-Mirzaei, ka deklaruar se Izraeli ka tentuar të vrasë presidentin Masoud Pezeshkian gjatë luftës 12-ditore të muajit qershor, përmes një sulmi ajror në Teheran, përcjell Jerusalem Post.
Sipas tij, më 16 qershor Izraeli kreu një sulm të drejtpërdrejtë ndaj një mbledhjeje të Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare (SNSC), ku ishte i pranishëm edhe Pezeshkian. “Ishte një plan i kalkuluar për ta vrarë presidentin”, tha Haji-Mirzaei për televizionin shtetëror. Pezeshkian ka marrë një plagë të lehtë në këmbë pasi gjashtë raketa ose bomba goditën kompleksin ku zhvillohej mbledhja.
Mediat pranë Gardës Revolucionare raportojnë se Izraeli kishte shënjestruar hyrjet dhe sistemin e ventilimit të godinës, për të bllokuar daljet dhe për të shkaktuar mbytje nga tymi dhe pluhuri.
Në mbledhje ndodheshin edhe figura të larta shtetërore, mes tyre ministri i Brendshëm Eskandar Momeni dhe shefi i forcave të armatosura, gjenerali Abdolrahim Mousavi. Ky i fundit ka dalë i mbuluar nga hi dhe me uniformë të grisur, ndërsa Momeni ka pasur vështirësi në frymëmarrje nga pluhuri.
Pezeshkian arriti të largohej vetë nga godina dhe më pas u takua me udhëheqësin suprem Ayatollah Ali Khamenei, para se të vizitohej nga një mjek. “Izraeli donte që ai të ishte i vdekur, por fati nuk e lejoi”, theksoi Haji-Mirzaei.