
Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka denoncuar në SPAK atë që e quan një tjetër skandal në Onkologjik, ku sipas saj pacientët me kancer nuk po marrin terapinë e nevojshme jetike.
Vokshi deklaroi se aparati i brakiterapisë në QSUT është sërish jashtë funksionit, duke lënë dhjetëra pacientë pa trajtimin e domosdoshëm.
“Skandal i përsëritur në Onkologjik! Aparati i brakiterapisë në QSUT është sërish jashtë funksionit. Dhjetëra pacientë me kancer mbeten pa trajtim jetik. Çdo seancë e humbur = rrezik për jetën! Nuk është hera e parë, nuk është rast i izoluar”, shkruan Vokshi.
Ajo theksoi se prej një viti ka kallëzuar në SPAK kryeministrin Edi Rama, ish-ministrat e Shëndetësisë, si dhe drejtuesit e QSUT dhe Onkologjikut për akuza si “vrasje me dashje, shpërdorim detyre dhe neglizhencë mjekësore”.
Sipas saj, megjithëse denoncimet janë bërë, drejtuesit dhe përgjegjësit vijojnë të jenë në poste, ndërsa pacientët përballen me mungesën e trajtimeve jetike.
“Sot, ndërsa qindra milionë euro shkojnë për koncesione abuzive (Check-up, sterilizim, laboratorë), pacientët nuk marrin dot terapitë që u shpëtojnë jetën. Ky është krim shtetëror. Dhe SPAK, duke heshtur, është bërë bashkëfajtor”, përfundoi deputetja demokrate.
Postimi:
Skandal i përsëritur në Onkologjik!
Aparati i brakiterapisë në QSUT është sërish jashtë funksionit. Dhjetëra pacientë me kancer mbeten pa trajtim jetik. Çdo seancë e humbur = rrezik për jetën!
Nuk është hera e parë.
Nuk është rast i izoluar.
Prej një viti kam kallëzuar në SPAK Ramën, ministrat e Shëndetësisë, drejtuesit e QSUT e Onkologjikut për vrasje me dashje, shpërdorim detyre, neglizhencë mjekësore. Sot janë të njëjtët drejtuea në Qeveri, e në Onkologjik. Asgjë nuk ka ndryshuar. Asnjë nuk mban përgjegjësi për shëndetin apo jetët e humbura.
Sot, ndërsa qindra milionë euro shkojnë për koncesione abuzive (Check-up, sterilizim, laboratorë), pacientët nuk marrin dot terapitë që u shpëtojnë jetën.
Ky është krim shtetëror. Dhe SPAK, duke heshtur, është bërë bashkëfajtor.