Vendosni fjalën kyçe....

Plagosja e 28-vjeçarit me thikë në Korçë, arrestohet autori dhe katër persona të tjerë


Policia ka zbardhur ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e së premtes në fshatin Mollaj të Korçës, ku një 28-vjeçar u plagos me thikë nga një 41-vjeçar, pas një konflikti fizik për motive të dobëta.

Sipas njoftimit zyrtar, në pranga u vu autori i dyshuar, 41-vjeçari Q., banues në Mollaj, i cili gjatë konfliktit ka marrë gjithashtu dëmtime në kokë dhe ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Ai akuzohet për veprat penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë, “Dëmtime të tjera me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Nga hetimet e mëtejshme dhe verifikimet përmes pamjeve filmike, u arrestuan edhe katër persona të tjerë: I. D., 45 vjeç, Th. P., 47 vjeç, Dh. K., 47 vjeç dhe B. S., 33 vjeç, të gjithë banues në Mollaj. Ata akuzohen për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje” e kryer në bashkëpunim, pasi pas plagosjes së 28-vjeçarit ndërhynë duke dhunuar autorin dhe duke i shkaktuar plagë në kokë e trup.

Si prova materiale u sekuestruan thika e përdorur në ngjarje, një aparat celular dhe pamjet filmike.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës për veprime të mëtejshme.