
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi të shtunën se do të zhvillojë një takim me Presidentin amerikan Donald Trump në Uashington javën e ardhshme, pasi samiti mes Trump dhe Vladimir Putin në Alaskë përfundoi pa një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Zelensky tha se kishte zhvilluar një bisedë të gjatë dhe të thelluar me Trump të shtunën, pas takimit të këtij të fundit me Putin, përcjell AP.
Ai falënderoi Trump për ftesën për t’u takuar personalisht të hënën në Uashington dhe theksoi se do të diskutojnë “të gjitha detajet që lidhen me ndaljen e vrasjeve dhe të luftës”.
“Sinjale pozitive” nga SHBA për garancitë e sigurisë
Kreu i shtetit ukrainas nënvizoi rëndësinë e përfshirjes së Evropës në proces, pasi as ai dhe as liderët evropianë nuk ishin të pranishëm në samitin e së premtes.
“Është e rëndësishme që evropianët të përfshihen në çdo fazë për të garantuar siguri të besueshme së bashku me Amerikën,” u shpreh Zelensky.
“Diskutuam gjithashtu për sinjale pozitive nga pala amerikane në lidhje me pjesëmarrjen për garantimin e sigurisë së Ukrainës.”
Ai nuk dha detaje të tjera, por më herët ka deklaruar se partnerët evropianë e kanë pezulluar propozimin për vendosjen e trupave të huaja në Ukrainë si garanci ndaj agresionit të ardhshëm rus, për shkak të mungesës së mbështetjes amerikane.
Zelensky shtoi se bisedoi fillimisht me Trump në mënyrë individuale dhe më pas në një thirrje të përbashkët me liderë evropianë. Në total, bisedimet zgjatën mbi një orë e gjysmë.
Trump: “Nuk ka marrëveshje derisa të ketë marrëveshje”
Samiti në Alaska, ku Trump priti Putin me ceremoni zyrtare, përfundoi pa rezultate konkrete.
Trump tha se “nuk ka marrëveshje derisa të ketë marrëveshje”, pasi Putin pretendoi se të dy kishin arritur një “kuptim” mbi Ukrainën dhe paralajmëroi Evropën të mos “sabotojë progresin e brishtë”.
Në një intervistë për Fox News përpara se të largohej nga Alaska, Trump theksoi se barra për zgjidhjen e konfliktit mund të bjerë mbi Zelensky “që ta realizojë”, por shtoi se edhe disa vende evropiane do të kenë rol.
Presidenti amerikan nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve gjatë kthimit në Uashington. Sipas zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, ai zhvilloi një telefonatë të gjatë me Zelensky dhe më pas bisedoi me udhëheqësit e NATO-s.
Trump foli me kancelarin gjerman Friedrich Merz, presidentin francez Emmanuel Macron, kryeministrin britanik Keir Starmer, kryeministren italiane Giorgia Meloni, presidentin finlandez Alexander Stubb, presidentin polak Karol Nawrocki, presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.
Shpresa për një takim trepalësh
Zelensky u shpreh se mbështet idenë e Trump për një format trepalësh mes SHBA, Rusisë dhe Ukrainës. “Çështjet kyçe mund të diskutohen në nivel liderësh dhe një format trepalësh është i përshtatshëm për këtë,” tha ai.
Megjithatë, këshilltari për çështjet e jashtme i Putinit, Yuri Ushakov, tha në televizionin shtetëror rus se një takim i tillë nuk është përmendur në diskutimet SHBA-Rusi.
“Tema nuk është prekur ende,” theksoi ai, sipas agjencisë ruse RIA Novosti.
Zyrtarët dhe mediat ruse e kanë pritur me tone pozitive samitin e Alaskës, duke e cilësuar si një sinjal për fundin simbolik të izolimit të Putinit në Perëndim.
Ish-presidenti Dmitry Medvedev e përshkroi takimin si një hap të rëndësishëm në rivendosjen e dialogut të nivelit të lartë mes Moskës dhe Uashingtonit, duke e cilësuar atë “të qetë, pa ultimatum dhe pa kërcënime”.
Ndërkohë, sulmet ruse ndaj Ukrainës vijuan gjatë natës me një raketë balistike dhe 85 dronë Shahed, nga të cilët 61 u rrëzuan, sipas Forcave Ajrore të Ukrainës. Zonat në vijën e frontit në Sumy, Dnipropetrovsk, Donetsk dhe Chernihiv u goditën nga sulmet.