Vendosni fjalën kyçe....

Izraeli po zhvillon bisedime të fshehta për zhvendosjen e palestinezëve nga Gaza


Izraeli dhe SHBA po shtyjnë përpara një plan për të zhvendosur qindra mijëra palestinezë nga Rripi i Gazës, duke e paraqitur si një nismë humanitare, por që është kritikuar gjerësisht nga vende evropiane dhe botërore arabe si e parealizueshme dhe në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.

Ideja mori vëmendje më të madhe në fillim të vitit kur presidenti Donald Trump tha se SHBA duhet ta marrë kontrollin e Gazës dhe ta zhvillojë si destinacion turistik ndërkombëtar, ndërsa një pjesë e popullsisë do të zhvendosej.

Sipas burimeve të afërta me çështjen, zyrtarë izraelitë kanë kontaktuar me vende si Libia, Sudani i Jugut, Somaliland dhe Siria për të pranuar palestinezë që pranojnë të largohen.

SHBA dhe Izraeli kanë ushtruar gjithashtu presion mbi Egjiptin për të pranuar zhvendosjen e palestinezëve në gadishullin Sinai, por Kajroja e ka kundërshtuar fuqishëm. Kjo ka sjellë edhe përplasje verbale në takime mes zyrtarëve egjiptianë dhe izraelitë.

“Presidenti Trump ka kohë që ka mbështetur zgjidhje kreative për të përmirësuar jetën e palestinezëve, përfshirë mundësinë që ata të zhvendosen në një vend të ri dhe të bukur ndërsa Gaza rindërtohet,” tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly.

Disa bisedime për zhvendosjen e palestinezëve në Siri apo Somaliland nuk kanë bërë përparim, ndërsa diskutimet me Libinë dhe Sudanin e Jugut po vazhdojnë.

Megjithatë, shumica e vendeve të përfshira kanë probleme të brendshme me konflikte dhe krizë ekonomike, gjë që i vë në dyshim aftësitë për të pranuar një numër të madh refugjatësh.

Ministria e Jashtme e Sudanit të Jugut e mohoi kategorikisht se ka zhvilluar bisedime të tilla, ndërsa një përfaqësues i Somaliland tha se nuk ka negociata në zhvillim. Zyrtarë libianë e sirianë nuk kanë komentuar.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë në korrik, tha: “Ne po punojmë ngushtë me Shtetet e Bashkuara për të gjetur vende që të realizojnë atë që gjithmonë kanë thënë – se duan t’i japin palestinezëve një të ardhme më të mirë.”

Mbështetësit më të zëshëm të kësaj ideje kanë qenë ministrat e krahut të djathtë si Bezalel Smotrich dhe Itamar Ben-Gvir.

Ky i fundit deklaroi në tetor: “Inkurajoni migrimin! Kjo është zgjidhja më morale dhe e drejtë. Jo me forcë, por duke u thënë: ju japim mundësinë të largoheni në vende të tjera. Toka e Izraelit është e jona.”

Ligji ndërkombëtar ndalon zhvendosjen e detyruar të popullsisë, përveç rasteve të jashtëzakonshme për arsye sigurie apo nevoje ushtarake.

Ekspertë ligjorë thonë se kushtet aktuale në Gaza e bëjnë shumë të vështirë të argumentohet se çdo largim do të ishte vullnetar.

Sipas autoriteteve palestineze, mbi 61 mijë persona janë vrarë gjatë ofensivës izraelite. Shumë banorë janë të zhvendosur brenda territorit, pa ushqime e me shumicën e ndërtesave të shkatërruara.

Një sondazh i kryer nga Qendra Palestinze për Kërkime Politike dhe Studimore në maj tregoi se 43% e palestinezëve do të ishin të gatshëm të emigronin pas luftës, veçanërisht të rinjtë dhe të arsimuarit, çka mund të sillte humbje të madhe të trurit për Gazën.

Megjithatë, shumica e palestinezëve nuk kanë pasur as mundësinë të largohen, pasi kufijtë me Izraelin dhe Egjiptin kanë qenë kryesisht të mbyllur. Vetëm ata me pasaportë të dytë, lidhje familjare jashtë apo të përzgjedhur për trajtime mjekësore kanë mundur të ikin.

Ramez Musmar, 24 vjeç, që arriti të largohej drejt Irlandës pas pranimit në Trinity College Dublin, tha: “Unë aplikova në universitet kryesisht për të ikur nga Gaza dhe për të nxjerrë më pas familjen time. Nëna më tha: ‘Shko për të ardhmen tënde. Mos u shqetëso për ne. Shpresojmë të na marrësh më vonë.’”

VINI RE: Ky material është pronësi intelktuale e The Wall Street Journal