Vendosni fjalën kyçe....

Trump: Putin gati për marrëveshje për Ukrainën, mund të ketë kompromis për territoret



Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se beson që Vladimir Putin është i gatshëm të arrijë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, ndërsa të dy liderët po përgatiten për një samit në Alaskë këtë të premte. Ai sugjeroi se një mundësi do të ishte që Putin dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy të “ndanin” territoret – një ide që mund të ngjallë shqetësime në Kiev, përcjell Guardian.

Trump tha për Fox News Radio se shanset që takimi me Putinin të ketë sukses janë rreth 75%, ndërsa sanksionet ekonomike mund ta kenë shtyrë Moskën drejt negociatave. Ai shtoi se një takim i dytë, i mundshëm në një format trepalësh mes tij, Putinit dhe Zelenskyyt, do të ishte vendimtar për arritjen e një marrëveshjeje.

“Takimi i dytë do të jetë shumë i rëndësishëm, sepse aty bëhet marrëveshja,” tha Trump, duke nënvizuar se, megjithëse nuk dëshiron ta quajë “ndarje territoriale”, termi nuk është i papërshtatshëm. Ai iu referua mundësisë që Ukraina të pranojë “shkëmbime territoresh”, përfshirë zona që aktualisht nuk janë të pushtuara nga Rusia.

Zelenskyy dhe kryeministri britanik Keir Starmer u takuan në Londër të enjten, duke shprehur një “shans të dukshëm për paqe” nëse Putini tregon seriozitet. Ndërkohë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, tha se çdo marrëveshje duhet të përfshijë garanci sigurie, diçka që Trump më herët e kishte refuzuar, por mund të sigurohet nga vendet evropiane.

Sipas Shtëpisë së Bardhë, pas takimit në Alaska, Trump dhe Putin pritet të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp – një shenjë optimizmi për një përparim të mundshëm, ndërsa Rusia kërkon që bisedimet të përfshijnë edhe rifillimin e bashkëpunimit ekonomik me SHBA-në.