
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump deklaroi se Vladimir Putin do të përballet me “pasoja shumë të rënda” nëse nuk bie dakord për një armëpushim në luftën në Ukrainë, gjatë samitit që do të mbahet të premten në Anchorage të Alaskës.
Duke folur pas një telefonate me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe udhëheqës të tjerë evropianë, mes tyre kryeministrin britanik Keir Starmer, Trump nënvizoi gjithashtu se, nëse takimi me Putinin do të rezultojë pozitiv, ai do të synojë organizimin e një samiti të dytë, kësaj here duke përfshirë edhe homologun e tij ukrainas.
“Nëse takimi i parë shkon mirë, do të kemi një të dytë të shpejtë. Do të doja ta bëja pothuajse menjëherë, mes meje, Presidentit Putin dhe Presidentit Zelenskyy”, tha Trump në një prononcim për gazetarët në Uashington.
Takimi pritet të mbahet në Bazën e Përbashkët Elmendorf-Richardson, një strukturë ushtarake me rëndësi strategjike që daton nga Lufta e Ftohtë, shkruan The Guardian.
I pyetur nëse Rusia do të përballej me pasoja nëse nuk pranon armëpushimin pas këtij samiti, Trump u përgjigj: “Po, ato do të kenë… pasoja shumë të rënda.”