Vendosni fjalën kyçe....

Djali i ish-presidentit Bolsonaro lavdëron Trump për tarifat ndaj Brazilit



Eduardo Bolsonaro, deputet dhe djali i ish-presidentit të Brazilit,
Jair Bolsonaro, ka shprehur mbështetjen e tij për tarifat e vendosura nga Presidenti amerikan Donald Trump ndaj Brazilit dhe ka paralajmëruar mundësinë e masave të mëtejshme ndaj vendit të tij. Ai po zhvillon një fushatë lobimi në SHBA, duke kërkuar që administrata amerikane të sanksionojë autoritetet braziliane për gjyqin kundër babait të tij mbi akuzat për përpjekje puçi, përcjell.

Deputeti 41-vjeçar tha për BBC në Washington se mund të vendosen sanksione ndaj individëve, përfshirë mundësinë e heqjes së vizave nga zyrtarë të caktuar, si një mënyrë për të “nxjerrë Brazilin nga kriza institucionale” që ai konsideron se po kalon vendi.

Në një ngjarje në Shtëpinë e Bardhë, Trump kritikoi Brazilin si një partner tregtar të keq, duke pretenduar gabimisht se SHBA-të kanë deficit tregtar me Brazilin, ndërkohë që në të vërtetë vendi ka regjistruar një suficit prej 7.4 miliardë dollarësh vitin e kaluar. Trump gjithashtu mbrojti Jair Bolsonaron, duke e krahasuar gjyqin kundër tij me një “gjueti shtrigash” dhe duke e lidhur me përpjekjet e tij ligjore pas humbjes në zgjedhjet amerikane të 2020-s.

Në muajin korrik, Trump njoftoi rritjen e tarifave mbi importet braziliane në 50%, si përgjigje ndaj trajtimit të ish-presidentit Bolsonaro. Po ashtu, Departamenti i Shtetit amerikan ndaloi udhëtimin në SHBA të tetë gjyqtarëve të Gjykatës Supreme të Brazilit, përfshirë Alexandre de Moraes, gjyqtarin që mbikëqyr gjyqin e ish-presidentit.

Eduardo Bolsonaro mohon se po vepron kundër interesave të vendit të tij dhe shprehet se liria është më e rëndësishme se ekonomia. Ai deklaroi gjithashtu se qëndrimi i tij është për gjeneratën e ardhshme dhe jo për zgjedhjet e ardhshme.

Babai i tij, Jair Bolsonaro, mund të përballet me dekada burg nëse shpallet fajtor për përpjekjen e supozuar për puç. Ndërkohë, Alexandre de Moraes ka vendosur arrest shtëpiak për ish-presidentin dhe ka urdhëruar përdorimin e një gjurmuese elektronike, si dhe ka ngrirë financat e Eduardo Bolsonaro, pasi dyshohet se ai i përdorte për lobim në SHBA.

Eduardo shprehet se veprimet e tij synojnë të hedhin dritë mbi “shkeljet e të drejtave njerëzore” nga qeveria braziliane dhe e krahasoi situatën e tij me grave iraniane që kritikojnë qeverinë e tyre dhe përballen me persekutim nëse kthehen në vend.

Ai ka deklaruar se nuk do të kthehet në Brazil për shkak të frikës nga arrestimi dhe e cilëson qeverinë aktuale si një “diktaturë”, edhe pse gjatë periudhës kur babai i tij ishte në pushtet, ai vetë propozoi një ligj të ngjashëm me një akt institucional të kohës së diktaturës ushtarake për të shtypur kundërshtimin.