Vendosni fjalën kyçe....

Të paktën 22 migrantë humbin jetën në Mesdhe pas fundosjes së dy anijeve



Të paktën 22 migrantë kanë vdekur, ndërsa afër 60 të tjerë janë shpëtuar, pasi dy anije u fundosën në Mesdhe të mërkurën. Shumë të tjerë konsiderohen të zhdukur, përcjell REL.

Sipas Kryqit të Kuq, 56 burra dhe katër gra mbijetuan fundosjes, ndërsa është ende e paqartë numri i saktë i personave që ndodheshin në anijet që u nisën nga Zavija dhe Tripoli në Libi. Disa të mbijetuar treguan se një nga anijet filloi të përmbytej, duke shtyrë migrantët drejt anijes tjetër, e cila u mbingarkua dhe u mbush me ujë.

Mes viktimave të transportuara në morgun e Lampedusës janë një i sapolindur, tre fëmijë, dy burra dhe dy gra. UNHCR-ja njoftoi se këtë vit janë regjistruar tashmë 675 viktima në tentativat e kalimit të Mesdheut nga migrantët, ndërsa 38.263 persona kanë mbërritur deri tani në brigjet e Italisë.

Ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi, tha se tragjedia thekson “urgjencën për të parandaluar udhëtimet e rrezikshme detare” dhe njoftoi se qeveria po bashkëpunon me vendet e Afrikës së Veriut për të ndalur nisjen e migrantëve drejt Italisë.