Prej disa ditësh, shumë zona në vend janë prekur nga situata e vështirë e zjarreve. Sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes, në 13 qarqe të Shqipërisë janë evidentuar 37 vatra zjarri, nga të cilat 30 janë aktive.
Mbrëmjen e djeshme, situata ishte më kritike në qarkun e Vlorës, veçanërisht në bashkinë e Delvinës, ku, pas një urdhri urgjent të autoriteteve shtetërore, u evakuan pacientët dhe stafi i spitalit të Delvinës. Ata u zhvendosën në ambientet e kinotekës, pasi pas godinës së spitalit ndodhet një zonë pyjore, ku flakët rrezikonin të arrinin deri në godinën e spitalit.
Sipas autoriteteve shtetërore në Delvinë, situata tani është më e qetë, pasi vatrat e zjarrit janë aktive në zona të largëta nga qyteti, ku forcat e shpëtimit po punojnë në terren, duke përfshirë ndërhyrjet ajrore.
Për vitin 2025, 61 bashkitë e vendit kanë përfituar një fond prej 2,1 miliardë lekë (rreth 21 milionë euro) për shërbimin e mbrojtjes nga zjarri, përmes transfertës së pakushtëzuar nga buxheti i shtetit. Krahasuar me vitin 2024, ky fond është rritur me 36%.
Ndërsa për emergjencat civile, fondi i vitit 2025 që do të jetë në dispozicion nga buxheti i shtetit është 5,4 miliardë lekë (rreth 55 milionë euro), një rritje prej 1.4% krahasuar me vitin 2024, shkruan Monitor.
Agron Haxhimali, drejtor i Institutit të Bashkive të Shqipërisë, thekson se është e nevojshme një rishpërndarje e fondeve të buxhetit për situatat emergjente. Ai sugjeron që bashkitë që përballen drejtpërdrejt me situata të vështira të përfitojnë më shumë fonde.
“Aktualisht, 61 bashkitë e vendit zotërojnë 70 stacione zjarrfikëse, përgjegjëse për ndërhyrje në terren, duke mbuluar gjithë territorin për zjarret urbane dhe ato në pyje, etj. Për të gjitha këto shërbime dhe funksione, bashkitë kanë një buxhet prej 21 milionë eurosh në vitin 2025, me një rritje prej 5 milionë eurosh krahasuar me vitin 2024”, shton ai.
“Nga ana tjetër, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile është e organizuar sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 747, datë 20.11.2020, në zbatim të ligjit nr. 45/2019 “Për mbrojtjen civile”. Ajo ka një rol kryesisht koordinues, teknik, mbikëqyrës dhe kontrollues, pa kapacitete të plota operacionale në terren. Megjithatë, buxheti vjetor i Agjencisë arrin në 55 milionë euro.
Rishpërndarja e buxhetit – një pjesë më e madhe e fondeve duhet të shkojë drejtpërdrejt te bashkitë për kapacitete operative: pajisje moderne, automjete, dronë monitorimi, sisteme të alarmit të hershëm”, thekson Haxhimali.
Sipas të dhënave të raportit vjetor , bashkitë që përfitojnë fondet më të larta për mbrojtjen nga zjarri nga fondet e transfertës së pakushtëzuar janë:
Tirana, me rreth 275 milionë lekë për vitin 2025, një rritje prej 104% krahasuar me 2024. Tirana merr 13% të totalit të fondit për mbrojtjen nga zjarri.
Durrësi, me 94,5 milionë lekë, rritje prej 63% krahasuar me 2024. Durrësi merr 5% të totalit të fondit.
Kukësi, me 75,3 milionë lekë, rritje prej 19,6% krahasuar me 2024. Ky fond zë 4% të totalit të fondit.
Elbasani, me 70,2 milionë lekë, rritje prej 74,6% krahasuar me 2024.
Fieri, me 64,3 milionë lekë, rritje prej 63%.
Vlorë, me 63,6 milionë lekë, rritje prej 31%.
Kamëz, me 61,3 milionë lekë, rritje prej 16% krahasuar me 2024.
Lezhë, me 52,1 milionë lekë, rritje prej 21%.
Korçë, me 43,9 milionë lekë, rritje prej 25%.