
Zjarret e fuqishme që kanë përfshirë zonat rurale të bashkisë Gramsh po shkaktojnë dëme të mëdha materiale, duke rrezikuar jetën e banorëve dhe trashëgiminë kulturore të zonës.
Një nga goditjet më të rënda është djegia e teqes së Shemberdhenjës, një objekt me vlerë të veçantë historike e shpirtërore për komunitetin lokal. Sipas burimeve nga terreni, dyshohet se një person ka mbetur i bllokuar brenda godinës.
Flakët, të përhapura me shpejtësi për shkak të temperaturave të larta dhe erërave të forta, kanë përfshirë disa fshatra, përfshirë Skënderbegas, Kullollas, Bletëz, Sojnik, Mukaj dhe Kukur, duke krijuar një situatë alarmante.
Autoritetet kanë dislokuar trupa shtesë, përfshirë Forcat e Armatosura dhe strukturat e Mbrojtjes Civile, ndërsa ndërhyrja po vijon edhe nga ajri me helikopterë për izolimin e vatrave më të rrezikshme. Në disa fshatra është bërë evakuimi i banorëve, ndërkohë që dëmet në pyje, kullota dhe objekte banimi janë të konsiderueshme.
Gramshi po përballet me një nga emergjencat më të rënda të viteve të fundit, ndërsa komuniteti ka nevojë për ndihmë të menjëhershme dhe veprim të koordinuar nga institucionet për të shmangur humbje të tjera.
Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes ka përsëritur sot një thirrje urgjente për banorët e fshatrave Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë që të largohen menjëherë nga banesat e tyre.
“THIRRJE URGJENTE!
Për shkak të zjarreve, u bëjmë thirrje banorëve të fshatrave Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë të largohen menjëherë nga banesat e tyre dhe të bashkëpunojnë me autoritetet për evakuimin e sigurt”, apelon Ministria e Mbrojtjes.