
Të paktën 30 vatra aktive zjarri janë raportuar në gjithë Shqipërinë, me situata kritike në Kavajë, Rrogozhinë, Poliçan, Tepelenë, Finiq, Delvinë dhe Tiranë. Forcat e emergjencës dhe ushtria kanë evakuuar banorë në disa fshatra, pasi flakët janë afruar pranë banesave.
Në Kavajë dhe Rrogozhinë, flakët rrezikuan shtëpitë në Spanesh e Kazie, ndërsa në Poliçan zjarri në njësinë Terpan po kërcënon fshatrat përreth. Ministria e Mbrojtjes ka bërë thirrje për evakuim urgjent në Vokopolë, Zhapokikë, Plashnik, Panarit dhe në zonat e Rezervatit të “Balloll”.
Në zonën turistike të Syrit të Kaltër, zjarri u neutralizua, por flakët kaluan në fshatin Pecë, duke detyruar evakuimin e banorëve. Operacionet po mbështeten nga 8 mjete zjarrfikëse, 90 forca operacionale dhe ndihma ajrore nga Shqipëria, Greqia, Çekia dhe Sllovakia.
Era e fortë ka përhapur zjarret në Tepelenë dhe Memaloj, duke përfshirë fshatrat Lekël, Labovë dhe Hormovë, si dhe në Tiranë, ku rrezikohen banesa në Zall Herr. Helikopterë Blackhawk nga Emiratet e Bashkuara Arabe po asistojnë në operacionet nga ajri.
Zjarre të tjera aktive raportohen në Kukës, Lezhë, Durrës, Elbasan dhe Fushë Arrëz, ku terreni i vështirë po pengon ndërhyrjen nga toka. Temperaturat e larta, deri në 41°C, po e favorizojnë përhapjen e flakëve.