
Katër reaktorë në centralin bërthamor Gravelines, në veriun e Francës, u mbyllën të dielën mbrëma pasi një tufë kandilësh deti bllokoi sistemet e ftohjes. Lajmi u konfirmua të hënën nga operatori EDF, i cili dyshon se fenomeni lidhet me rritjen e temperaturës së ujit si pasojë e ngrohjes globale.
Centrali, i cili ftohet nga një kanal i lidhur me Detin e Veriut, është një nga më të mëdhenjtë në vend, me gjashtë njësi që prodhojnë nga 900 megavat secila, ose 5.4 gigavat në total. Aktualisht, e gjithë uzina ka ndaluar prodhimin, pasi edhe dy reaktorët e tjerë ndodhen jashtë funksionit për mirëmbajtje të planifikuar.
Plazhet përreth qytetit Gravelines, mes Dunkirkut dhe Calais, po përballen vitet e fundit me një rritje të ndjeshme të numrit të kandileve të detit. Sipas ekspertëve, fenomeni lidhet me ngrohjen e ujërave dhe praninë e specieve pushtuese, shkruan CNN.
“Kandilat e detit shumohen më shpejt kur uji është më i ngrohtë dhe, me rritjen e temperaturës në zona si Deti i Veriut, periudha e riprodhimit po zgjatet gjithnjë e më shumë,” shpjegoi Derek Wright, konsulent i biologjisë detare në Administratën Kombëtare të Peshkimit Oqeanik dhe Atmosferik.
Ai shtoi se këto organizma shpesh përhapen edhe përmes transportit detar: “Meduzat mund të udhëtojnë si ‘pasagjerë të padukshëm’ në anijet cisternë, duke hyrë në rezervuarët e balastit dhe më pas duke u pompuar në ujëra të tjera në pjesë të ndryshme të botës.”