Vendosni fjalën kyçe....

Gjykata i jep të drejtë News 24, reagon UGSH: Të zbatohet menjëherë vendimi, stafi të hyjë në ambientet e ‘Panorama Group’


Gjykata e Tiranës ka vendosur në favor të News 24, duke urdhëruar kthimin e menjëhershëm të pajisjeve të sekuestruara pa autorizim.

Sipas vendimit, stafi duhet të lejohet të hyjë në ambientet e “Panorama Group”, ndërsa kontrata e qirasë mbetet në fuqi deri në vitin 2033. Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë kërkon zbatim të menjëhershëm të vendimit dhe ndalimin e çdo pengese ndaj punës së lirë të medias.

Ky vendim konsiderohet precedent i rëndësishëm për mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve në vend.

 

Reagimi i Unionit të Gazetarëve të Shqipërisë:

Gjykata e Tiranës mbron të drejtën e punës së gazetarëve. UGSH kërkon zbatim të menjëhershëm të vendimit

Tiranë, më 12.08.2025

Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë përshëndet vendimin e Gjykatës së Tiranës, i cili njeh dhe mbron të drejtat ligjore të gazetarëve dhe stafit të “Fokus Group”, duke urdhëruar kthimin e menjëhershëm të pajisjeve dhe dokumenteve të punës të sekuestruara pa autorizim.

Sipas vendimit:

Shoqëria KAYO është e detyruar të rikthejë brenda 48 orëve të gjitha materialet e marra nga ambientet e redaksisë, përfshirë kompjuterët, dosjet dhe çdo pajisje pune të gazetarëve.

Stafi të lejohet pa vonesë të hyjë në ambientet e “Panorama Group”, kontrata e së cilës është e vlefshme deri në vitin 2033.

Palët e dëmtuara të ndërmarrin brenda 15 ditësh veprimet ligjore ndaj institucioneve shtetërore për shkeljen e të drejtës së ushtrimit të profesionit dhe cënimin e sekreteve gazetareske.

UGSH kërkon nga organet shtetërore të zbatojnë menjëherë dhe pa asnjë zvarritje këtë vendim, duke ndaluar çdo veprim që pengon punën e lirë dhe të pavarur të medias.

Ky vendim gjyqësor duhet të shërbejë si precedent i qartë për të gjitha rastet e ardhshme, duke i kujtuar institucioneve dhe subjekteve private se cenimi i të drejtës së punës së gazetarëve dhe ndërhyrja në materialet e tyre profesionale përbën shkelje të rëndë ligjore dhe dëm të drejtpërdrejtë ndaj lirisë së medias në Shqipëri.

Zyra Informuese

Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë