
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, njoftoi të hënën se do të vendosë 800 trupa të Gardës Kombëtare në Uashington dhe do ta marrë nën kontroll federal Departamentin e Policisë Metropolitane, duke e justifikuar veprimin si një masë për të luftuar një “valë krimi” në kryeqytet, pavarësisht se statistikat zyrtare tregojnë se kriminaliteti i dhunshëm në vitin 2024 arriti nivelin më të ulët në 30 vitet e fundit.
“Po dislokoj Gardën Kombëtare për të rivendosur ligjin, rendin dhe sigurinë publike në Uashington, D.C. Kryeqyteti ynë është pushtuar nga banda të dhunshme dhe kriminelë gjakatarë,” tha Trump në Shtëpinë e Bardhë, i shoqëruar nga Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe Prokurorja e Përgjithshme, Pam Bondi, raporton Reuters.
Ky është hapi më i fundit në përpjekjet e Trump për të ushtruar ndikim të drejtpërdrejtë mbi qytetet e drejtuara nga demokratët.
Ai hodhi poshtë akuzat se po sajon një krizë për të zgjeruar autoritetin presidencial në një qytet me shumicë demokrate.
Qindra oficerë dhe agjentë nga mbi një duzinë agjenci federale, përfshirë FBI, ICE, DEA dhe ATF, janë dislokuar në qytet ditët e fundit.
Trump tha se do të përdorte edhe ushtrinë amerikane “nëse do të ishte e nevojshme”, ndërsa Hegseth u shpreh se është gati të thërrasë trupa shtesë të Gardës Kombëtare nga jashtë Uashingtonit.
Bondi do të mbikëqyrë marrjen nën kontroll të forcës policore.
Kryetarja demokrate e bashkisë, Muriel Bowser, kundërshtoi deklaratat e Trump, duke theksuar se qyteti nuk po përjeton rritje të kriminalitetit.
Sipas të dhënave zyrtare, kriminaliteti i dhunshëm ra me 35% në vitin 2024 dhe me 26% në shtatë muajt e parë të 2025-ës, ndërsa kriminaliteti total ra me 7%.
Trump e bazoi veprimin në një dispozitë të Aktit të Vetëqeverisjes së Distriktit të Kolumbias, që i lejon presidentit të marrë përkohësisht kontrollin e policisë kur ekzistojnë “kushte të veçanta emergjente”.
Ai shpalli një “emergjencë të sigurisë publike” në qytet.
Vendimi vjen ndërkohë që administrata e tij ka ulur me 44% fondet e sigurisë për Rajonin e Kryeqytetit Kombëtar, që përfshin Uashingtonin dhe qytete fqinje në Maryland dhe Virxhinia.
Trump ka përdorur më parë Gardën Kombëtare në situata të debatueshme, përfshirë protestat e vitit 2020 pas vrasjes së George Floyd, dhe në qershor 2025, kur dërgoi 5,000 trupa në Los Anxhelos pas protestave mbi bastisjet e imigracionit.
Kritikët e akuzojnë se po e përdor çështjen e krimit në qytete si armë politike, një strategji që ai ka ndjekur që nga vitet 1980.