
Me pankarta në duar “Ne s’jemi kriminelë që na sillni polici e ushtri”, gazetarë dhe punonjës të Fokus Media News, së bashku me kolegë nga media të tjera, janë mbledhur në hyrje të godinës së News24, e cila prej tre ditësh është rrethuar nga policia ushtarake.
Në ditën e tretë të bllokimit të transmetimit të News24, prania e policisë ushtarake vijon të jetë e plotë në ambientet e televizionit, megjithëse ky aksion konsiderohet në kundërshtim të plotë me ligjin.

Në mbështetje të gazetarëve të News24 janë shprehur shumë kolegë, organizata vendase e ndërkombëtare, politikanë dhe aktivistë të shoqërisë civile.
Gazetarja dhe drejtoresha e TV News24, Anila Jole ka reaguar me emocione të forta pas ndërprerjes së transmetimit të News24 dhe sulmit që mediat kanë pësuar ditët e fundit.

Jole foli për shqetësimin e madhe që ndjejnë kolegët e saj, të cilët punojnë pa orar dhe shpesh në kushte të vështira, duke kujtuar sfidat e përditshme të gazetarisë në News24, nga tërmetet, pandemia, moti i keq, deri në situata me rrezik për sigurinë personale.
Anila Jole: Kam parë që ky televizion të rritet dhe të bëhet më i besueshëm për shqiptarët.
Tronditja ime është jo vetëm profesionale, por edhe personale. Unë këtu kam lidhur jetën time dhe kam menduar të dal në pension. Kurrë nuk e mendova që dita e fundit e punës sime të ishte në këtë mënyrë.
Jam e shqetësuar edhe për kolegët e mi, të cilët ndjejnë një pasiguri të madhe. Kolegët tanë, punën e të cilëve unë e njoh prej vitesh, kanë punuar këtu me orar dhe pa orar. Gazetaria të kërkon të punosh edhe 24 orë, pa shkuar tek familja.
Edhe kur ka tërmet duhet të punojmë, edhe kur bie pandemia e COVID-it duhet të rrimë këtu në News24, të tregojmë të vërtetën.
Kur ka borë, gazetari i News24 bllokohet në rrugë; kur ka krime, duhet të jetë në mes të armëve dhe policisë.
Janë bërë tre ditë që sinjali nuk ekziston. Shumë locale mbajnë imazhin e fundit që ka mbetur. Një protestë e bukur kjo.
Sot ndodhi diçka tjetër: kjo godinë ka një kontratë qiraje, prapa saj është një godinë tjetër me kontratë qiraje deri në vitin 2033. Aty punojmë ne, aty punojnë bletët punëtore. Ajo që ndodhi sot është se u prish nga IKMT, që u futën natën; është prishur tuneli që lidh dy godinat.
Edhe krim po të ishte, duhej të paralajmëroje për të hequr infrastrukturën. Aty ka brenda pajisje të kushtueshme, disa prej të cilave u shpëtuan. Por aty janë lidhjet që bëjnë transmetimet live të News24.
Gazetari Osman Stafa bëri me dije se 230 punonjës prej tre ditësh nuk kanë qasje në ambientet e punës së tyre. Ai theksoi se “News24 prej 3 ditësh nuk transmeton, ndërsa gazetarët, që nuk mbajnë armë por mikrofon, kanë hapur derën çdo problematike të qytetarëve dhe kanë denoncuar çdo ditë ngjarjet korruptive në Shqipëri.”

Stafa shtoi se ky sulm është i qëllimshëm dhe lidhet me faktin që News24 nuk e ndjek linjën që kërkon qeveria. “Me një vendim pa paralajmërim, sot u gjendëm përballë faktit të kryer: dilni jashtë,” përfundoi ai.
“News24 prej 3 ditësh nuk transmeton. Janë 230 punonjës që prej 3 ditësh nuk hyjnë në zyrë. Gazetari nuk ka armë në dorë, por mikrofon. I ka hapur dyert cdo problematike të qytetarëve, News24 ka denoncuar moment pas momenti edhe ngjarjet korruptive që janë të shumta në Shqipëri.
Kjo është e qëllimtë, po ndodh sepse News24 nuk qëndron në linjën që qeveria kërkon. Me një vendim pa paralajmërim gjendemi përballë faktit të kryer dilni jashtë”, tha Stafa.
Kreu i Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë, Isa Myzyraj, u shpreh se “kjo është një periudhë shumë e vështirë për komunitetin e gazetarëve dhe për lirinë e medias në Shqipëri.”
Ai theksoi se News24, si një nga kanalet më të mëdha informative në vend, po përballet me pengesa të rënda në punën e saj, dhe kjo është një goditje direkte ndaj të drejtës së qytetarëve për t’u informuar.
Gazetarja Klodiana Lala theksoi se News24 është një histori suksesi dhe gazetaria është mison
Ajo shtoi se sot ishte radha e News24, por nesër mund të jetë radha e ndonjë media tjetër, por kjo histori do të vazhdojë dhe as policia, as ushtria nuk do ta ndalojnë. Publiku do të rikthejë sërish televizionin tek News24.

“News24 është një histori suksesi. Ne jemi këtu sepse o ta ringremë këtë televizon pavarësisht arrogances së pushtetit, barabarisë që u futën forcat e ushtrisë dhe policies. Gazetaria është mison.
Jam dëshmitare prej 19 vitesh se si janë përcuar lajmet në këtë redaksi, kemi qenë aty ku ngjarja ka ndodhur. News24 do të jetë për të raportuar cdo detaj për qytetarët.
Sot ishte radha e News24, nesër do të jetë radha diku tjetër, News24 është histori që do vijojë, s’ka police e ushtarë të na ndalojë. Publiku sërish do kthejë televizionin tek News24.”
Protesta është organizuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë, i cili reagoi menjëherë pas mbylljes së transmetimit dhe pushtimit të godinës nga forcat e policisë dhe ushtrisë.
Letra e AGSH:
Të nderuar,
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë shpreh shqetësimin më të thellë për ngjarjet e ndodhura në orët e para të 9 gushtit 2025, kur forcat e Policisë së Shtetit rrethuan godinën e Focus Media Group në Tiranë, ku operojnë katër media kryesore: News24, BalkanWeb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare.
Në emër të Asociacionit të Gazetarëve të Shqipërisë, dëshirojmë të theksojmë drejtpërdrejt se veprime të tilla cënojnë rëndë lirinë e medias dhe krijojnë frikë e pasiguri për të gjitha mediat në vend në të ardhmen. Ky nuk është rasti i vetëm kur policia ka vepruar në mënyrë arbitrare. Në dekadën e fundit janë mbyllur dy media të tjera — AgonChannel dhe RTV Ora — ku, pavarësisht ekzistencës së një vendimi gjykate, prania e forcave speciale të policisë brenda ambienteve të televizionit u dënua nga i gjithë komuniteti ndërkombëtar.
Sipas deklaratave zyrtare të vetë grupit mediatik, gjatë operacionit:
U ndërpre energjia elektrike, duke lënë News24 pa sinjal transmetimi;
Gazetarëve dhe stafit iu ndalua hyrja në redaksi;
U pezullua puna e redaksive dhe u ndërpre aksesimi i publikut në përmbajtjet mediatike.
Megjithëse jemi të vetëdijshëm se prona është objekt i një mosmarrëveshjeje midis pronarëve të News24 dhe shtetit shqiptar, ne besojmë se kjo nuk e legjitimon praninë e forcave të policisë dhe ndërprerjen e njëanshme të sinjalit të transmetimit.
Gjithashtu, sipas të gjitha burimeve publike të informacionit, biznese të tjera në pronësi të drejtuesit të grupit mediatik kanë qenë më herët objekt i veprimeve të diskutueshme, përfshirë shembjen me tritol të një kompleksi, të cilën vetë drejtuesit e televizionit e kanë quajtur në atë kohë si një sulm politik.
Ky precedent paraqet një rrezik serioz për lirinë e medias dhe krijon një atmosferë frike tek gazetarët dhe publiku. Ne theksojmë se, pavarësisht qëndrimeve editoriale apo çështjeve të brendshme të çdo mediaje, sulme të tilla ndaj funksionimit normal të redaksive dëmtojnë themelet e demokracisë dhe të drejtës së publikut për t’u informuar.
Të nderuar kolegë,
Duke pasur parasysh se Shqipëria është një vend aspirant për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian, ne besojmë se është emergjente të respektohet shteti i së drejtës dhe kërkojmë:
Heqjen e menjëhershme të bllokadës dhe rikthimin e aksesit të plotë të gazetarëve në vendin e punës;
Rivendosjen e energjisë elektrike dhe kushteve të plota të punës për redaksitë;
Publikimin e menjëhershëm të bazës ligjore dhe autoritetit që ka urdhëruar këtë veprim;
Sigurimin që çdo veprim i ardhshëm që prek media të kryhet vetëm në përputhje me procesin e rregullt ligjor, nën mbikëqyrje gjyqësore dhe me parimin e ndërhyrjes minimale.
U bëjmë thirrje të gjitha institucioneve ndërkombëtare, organizatave të medias dhe përfaqësive diplomatike të monitorojnë nga afër situatën dhe të reagojnë për të garantuar që Shqipëria të mbetet e përkushtuar ndaj standardeve ndërkombëtare të lirisë së shprehjes dhe të medias.
Çdo sulm ndaj gazetarëve është një sulm ndaj demokracisë, interesit publik dhe të drejtave themelore të njeriut.
Kryetari i AGSH
Isa Myzyraj
Përgatiti për Hashtag.al, Aurora Hoxha


