
Dy aksidente rrugore u regjistruan brenda pak minutash në Fier, duke lënë të lënduar pesë persona.
Në aksin Levan–Ferras, një automjet me të cilin udhëtonin tre persona, mes tyre një shtetas italian, doli nga rruga dhe u përmbys në një kanal vaditës. Drejtuesi italian arriti të dalë vetë nga makina, ndërsa bashkëshortja e tij shqiptare dhe nëna e saj u nxorën me ndihmën e banorëve të zonës. Të tre u transportuan në spitalin e Fierit, ku mësohet se ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Pak minuta më pas, në aksin Levan–Tepelenë, pranë fshatit Varibop, dy automjete u përplasën duke plagosur dy persona të tjerë. Të lënduarit u dërguan në spitalin e Fierit, ndërsa ende nuk ka informacion mbi gjendjen e tyre shëndetësore.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e të dyja aksidenteve.