Vendosni fjalën kyçe....

AGSH dënon mësymjen në News24: Rrezikohet siguria e gazetarëve dhe burimeve



Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) ka reaguar me “alarm dhe indinjatë të thellë” pas mësymjes në ambientet e televizionit News24, ku forca të ushtrisë dhe policisë kanë hyrë me forcë dhe po konfiskojnë pajisje e materiale nga redaksia.

Sipas AGSH, autoritetet po marrin të dhëna nga kompjuterët e gazetarëve, të cilat përmbajnë materiale pune dhe informacion konfidencial. Kjo, sipas tyre, përbën një shkelje flagrante të lirisë së medias, të drejtës së informimit dhe mbrojtjes së burimeve gazetareske, të garantuara nga Kushtetuta dhe Konventa Europiane e të Drejtave të Njeriut.

“Veprime të tilla rrezikojnë drejtpërdrejt jetën dhe sigurinë e gazetarëve dhe burimeve të tyre,” thuhet në deklaratë.

AGSH i bën thirrje autoriteteve të ndalojnë menjëherë çdo veprim që cënon punën e gazetarëve dhe institucioneve ligjore të verifikojnë ligjshmërinë e operacionit.