
Situata me zjarret në vend vijon të jetë alarmante, me 30 vatra aktive të evidentuara gjatë orëve të fundit, kryesisht në jug të vendit. Qarku i Vlorës mbetet më i prekur, me disa zona të rrezikuara nga flakët, përfshirë fshatin Krane përballë Syrit të Kaltër, fshatrat Bolenë, Tërbaç dhe Lukovë.
Në terren po punojnë forcat zjarrfikëse, Forcat e Armatosura, policia, forcat vullnetare dhe mjete ajrore nga Kroacia, Greqia, Çekia dhe Sllovakia. Në disa zona, si në fshatin Plirëz të Poliçanit dhe fshatin Xath të Fushë Arrëzit, ka nisur evakuimi i banorëve për shkak të afrimit të flakëve pranë banesave.
Përveç Vlorës, vatra zjarri janë aktive edhe në qarqet Berat, Lezhë, Dibër, Tiranë, Durrës, Gjirokastër, Elbasan, Shkodër dhe Kukës. Në shumë prej tyre, terreni i thyer dhe era e fortë po e vështirësojnë ndërhyrjen.
Autoritetet vijojnë apelimin për kujdes maksimal dhe bashkëpunim me strukturat e emergjencës për të shmangur përhapjen e mëtejshme të flakëve.