
Një vatër zjarri vijon të jetë aktive në bashkinë Poliçan, jashtë territorit të Uzinës Mekanike, duke përfshirë një sipërfaqe me shkurre dhe ullishte. Flakët kanë kaluar mbi ujësjellësin dhe janë afruar pranë një grupi banesash, si dhe pranë Azilit të të Moshuarve në qytet, duke shtuar rrezikun për banorët.
Në terren po punojnë forcat zjarrfikëse të bashkive Poliçan, Berat, Skrapar, Lushnje, Patos dhe Roskovec, të mbështetura nga 60 trupa të Forcave të Armatosura dhe ndërhyrje nga ajri. Pavarësisht përpjekjeve intensive, zjarri ende nuk është vënë nën kontroll.
Forcat operacionale vijojnë punën me intensitet për të parandaluar përhapjen e flakëve dhe për të mbrojtur banesat e rrezikuara.