
Gjykata e Posaçme ka lënë në burg shtatë nga të arrestuarit në kuadër të operacionit të SPAK, që goditi grupin e Çopjave, i akuzuar për trafikun e 28 ton kokainë në Evropë, nga të cilat 17 ton u kapën nga autoritetet.
Në mesin e të arrestuarve që janë lënë në burg është edhe Ervis Çela, i cili së bashku me Franc Çopjan konsiderohet si kreu i organizatës kriminale.
Gjykata ka vendosur arrest shtëpie për Riza Çelën, ndërsa për dy shoferët e autobusëve, Kujtim Gjyla dhe Ditjon Pepa, është caktuar masa “detyrim paraqitjeje”.
SPAK vijon kërkimin për pesë persona të tjerë të përfshirë në këtë grup kriminal.
Operacioni u zhvillua në disa qytete të vendit, duke përfshirë Elbasanin, Tiranën, Durrësin dhe Lushnjën, ku u zbatuan 16 masa sigurie, prej të cilave 14 janë arrestime me burg dhe dy masa detyrim paraqitjeje.
Prokuroria e Posaçme njoftoi se Franc Çopja dhe Ervis Çela operonin në shkallë globale, duke bashkëpunuar me grupe të tjera kriminale për trafikimin e kokainës drejt porteve evropiane dhe investonin fitimet në prona dhe biznese brenda dhe jashtë Shqipërisë.