Vendosni fjalën kyçe....

Lirimi i hapësirave publike, Rama: Po përgatisim një rregullore kombëtare që do të vendosë “kufijtë”


Kryeministri Edi Rama, gjatë një transmetimi live në Facebook, foli për aksionin e lirimit të hapësirave publike dhe iu përgjigj kritikave që janë shprehur në lidhje me këtë proces.

Ai theksoi se nuk bëhet fjalë për një sulm ndaj njësive tregtare, por për ndërtime të çmontueshme që po hiqen me mirëkuptim nga shumë pronarë.

Rama shpjegoi se po përgatitet një rregullore kombëtare që do të përcaktojë qartë kufijtë e hapësirave publike, duke ruajtur hapësirën edhe për njësitë tregtare, por pa kaluar mbi kufijtë e komunitetit.

“Ky nuk është sulm ndaj aktivitetit sipërmarrës. Do të ketë hapësirë për të gjithë, për njësitë tregtare, por pa kapërcyer kufirin që i përket komunitetit,” tha kryeministri.

Ai gjithashtu përmendi rolin e teknologjisë në këtë proces, duke theksuar progresin e Shqipërisë në këtë fushë dhe përmirësimet e vlerësuara edhe nga një nga institutet më prestigjioze botërore për matjen e parametrave të qeverisjes.

“Shqipëria është një nga yjet në ngjitje në hapësirën evropiane për reformat dhe transformimin. Teknologjia do të na ndihmojë që të kalojmë nga faza kur njerëzit ngrinin mure dhe barriera, te një fazë ku ky fenomen do të reduktohet në maksimum,” u shpreh Rama.

Ky aksion synon të çlirojë hapësirat publike dhe të sigurojë përdorimin e tyre në mënyrë të drejtë dhe transparente për komunitetin.