Vendosni fjalën kyçe....

Tre të plagosur nga të shtënat në Times Square, New York


Tre persona kanë mbetur të plagosur në një të shtënë me armë zjarri në Times Square të New Yorkut, pasi një 17-vjeçar hapi zjarr, njofton Policia e New Yorkut (NYPD) për Guardian.

Ngjarja ndodhi në orën 1:20 të mëngjesit të së shtunës në rrugën West 44th dhe Avenuen 7-të. Policia po interviston një person që është ndaluar, por deri tani nuk janë ngritur akuza.

Të plagosurit janë një 18-vjeçare, e cila u lëndua në qafë, një 19-vjeçar me një plumb në këmbën e djathtë dhe një 65-vjeçar me plumb në këmbën e majtë. Të tre u dërguan në spitalin Bellevue dhe ndodhen në gjendje stabile.

Sipas policisë, para të shtënave pati një mosmarrëveshje verbale mes të riut dhe njërit prej të plagosurve. Arma u sekuestrua nga autoritetet.

Ngjarja ndodh në një kohë kur krimi me armë në qytetin e New Yorkut ka pësuar një ulje të ndjeshme. Në shtatë muajt e parë të vitit 2025 janë regjistruar 412 raste të të shtënave, niveli më i ulët që nga nisja e regjistrimeve zyrtare, sipas komisares së policisë Jessica S. Tisch. Kjo shënon një rënie prej 23% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.