Vendosni fjalën kyçe....

Qëndresa Qytetare denoncon aksionin në News24: Një vend që cënon lirinë e medias është gati të bëjë kurban lirinë e qytetarit


Qëndresa Qytetare shpreh shqetësim për aksionin e Policisë në News24 dhe mediat partnere, duke theksuar se pengimi i gazetarëve është akt autoritar.

Organizata kërkon transparencë dhe solidarizohet me stafin e News24, duke ftuar qytetarët të mbrojnë lirinë e medias, që sipas saj është themeli i lirisë së qytetarëve.

Reagimi i Qëndresa Qytetare:

Qëndresa Qytetare shpreh shqetësimin më të thellë për aksionin e Policisë në godinën e televizonit News 24 dhe mediave partnere Ballkanweb, Gazeta Shqiptare dhe Gazeta Panorama.

Gazetarët po pengohen të futen në vendin e punës dhe ky është një akt i denjë për vendet autoratike.

Ky aksion është i papranueshëm sa kohë në këtë vend sipërmarrjet e sekuestruara të grupeve të strukturuara kriminale të trafikut ndërkombëtarë të drogës operojnë lirisht pa u penguar nga institucionet.

Qëndresa Qytetare kërkon që ky aksion së pari të ketë transparencë për shkak se në lojë është fati i një ndër mediave informative më të rëndësishme në vend, aq më tepër në një kohë kur liria e medias ka pësuar regres të ndjeshëm.

Qëndresa Qytetare solidarizohet me stafin e News 24 dhe fton qytetarët shqiptarë të reagojnë në mbrojtje të një media që i shërben interesit publik.

Një vend që cënon lirinë e medias është gati të bëjë kurban lirinë e qytetarit.