Vendosni fjalën kyçe....

Policia rrethon News24, bllokon hyrjen e gazetarëve dhe ndërpret energjinë elektrike


Policia e Shtetit ka rrethuar godinën e News24 në orët e para të mëngjesit, duke kërkuar lirimin e ambienteve pa vendim gjykate.

Brenda ndodhen redaksitë e News24, BalkanWeb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare.

Nën drejtimin e Ardi Veliut, si përfaqësues i shoqërisë “KAYO” që pretendon pronësinë e objektit, policia ka ndaluar hyrjen e gazetarëve dhe ka ndërprerë energjinë elektrike, duke bllokuar aktivitetin e mediave.

Reagimet ndaj situatës kanë qenë të shumta. Deputetja e PD, Jorida Tabaku, e cilësoi ndërhyrjen e Policisë së Shtetit ndaj Neës24 si një sulm të hapur ndaj demokracisë.

Sipas saj, dërgimi i forcave policore pa vendim gjykate dhe me skena dhune tregon fytyrën e një pushteti autokratik që, kur nuk mund të blejë ose shantazhojë median, përdor forcën.

Tabaku theksoi se një vend kandidat për BE nuk mund të trajtojë median në këtë mënyrë dhe paralajmëroi se, nëse sot është goditur News24, nesër mund të goditet çdo zë i lirë.

Reagimi i Tabakut
Kur regjimet kanë frikë nga e vërteta, dërgojnë policinë te dyert e medias. Ashtu si po ndodh sot në fillim të gushtit, kur forcat e policisë u shfaqën para News24, pa vendim gjykate, me skena dhune që i shkojnë vetëm një shteti autokratik.

Kjo është fytyra e vërtetë e qeverisë: një pushtet që kontrollon çdo gjë, por kur nuk mund të blejë apo shantazhojë, përdor forcën.

Rrethimi i News 24 nuk është thjesht presion ndaj medias – është një sulm i hapur ndaj demokracisë. Një vend kandidat për BE nuk mund të trajtojë median kësisoj.

Bashkimi Europian nuk pranon vende ku shtypi rrihet, ku gazetarët kërcënohen dhe ku e vërteta shkelet me çizme. Sot është News 24, nesër mund të jetë çdo zë i lirë. Dhe atëherë nuk do të ketë më kush të flasë.

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka, e ka quajtur “akt barbar” rrethimin e godinës së News24 nga forca policore e tatimore në Tiranë, që sipas tij penguan punën e gazetarëve.

Noka e krahasoi ngjarjen me mbylljen e “Agon Channel” vite më parë dhe u bëri thirrje qytetarëve të mblidhen përpara godinës së televizionit për të shprehur solidaritet dhe për të mbrojtur lirinë e fjalës.

Reagimi Nokës:

“Narkoregjimi i Ramës sot pa zbardhur dita ka vërsulur falangat e narkoshtetit për të sylljes së “Agon Channel” vite më parë.ekuestruar median News24. Dhjetëra forca policore e tatimore janë instaluar te dyert e News24 si dikur tek dyert e Agon Channel,” – shkruan Noka.

Edhe Safe Journalists Shqipëri ka shprehur shqetësim për bllokimin e zyrave të News24, BalkanWeb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare në Tiranë nga Policia e Shtetit, duke e cilësuar si rrezik për lirinë dhe pavarësinë e medias. Organizata njofton se po monitoron nga afër situatën. 

Me tej Deputetja e PD, Dhurata Çupi, reagoi pas mbylljes së News24 nga Policia e Shtetit, duke e cilësuar atë një akt censure dhe një goditje të rëndë ndaj lirisë së medias. Ajo paralajmëroi se ky është një hap drejt kontrollit të plotë të mediave dhe shuarjes së pluralizmit, duke bërë thirrje për reagim shoqëror.

Gjithashtu edhe kreu i PR, Fatmir Mediu, reagoi për situatën në ambientet e News24, ku forcat e policisë prej mëngjesit nuk lejojnë hyrjen e gazetarëve dhe stafit në redaksi. Ai e cilësoi këtë veprim si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj medias së lirë dhe të drejtës së qytetarëve për t’u informuar.

Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji, ka reaguar ashpër ndaj veprimeve të Policisë së Shtetit ndaj News24, BalkanWeb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare, duke e cilësuar si “akt brutal censure, frikësimi dhe shantazhi”.

Ai tha se gazetarët janë ndaluar të hyjnë në vendniin e punës, sinjali i transmetimit është mbyllur dhe energjia elektrike është ndërprerë, duke vepruar në një ditë pushimi për të shmangur reagimin publik.

Sipas tij, ky është një sinjal i qartë i instalimit të një regjimi diktatorial dhe një sulm i drejtpërdrejtë ndaj fjalës së lirë dhe të drejtës së qytetarëve për t’u informuar. Salianji bëri thirrje për reagim të menjëhershëm nga organizatat dhe partnerët ndërkombëtarë.

Kreu i Departamentit të Shëndetësisë në PD, Ilir Alimehmeti, reagoi kundër ndërhyrjeve policore ndaj gazetarëve, duke theksuar se media e lirë është themel i demokracisë dhe aleate e transparencës.

Ai paralajmëroi se ndalimi apo frikësimi i tyre minon besimin publik dhe dëmton llogaridhënien, duke theksuar se çdo shkelje duhet trajtuar me procedura ligjore, jo me ndalime apo dhunë.

Deputeti i PD, Belind Këlliçi, dënoi ashpër rrethimin e ambienteve të News24, duke e cilësuar si një akt të paprecedentë që tregon “fytyrën e vërtetë të regjimit të Edi Ramës”.

Ai e quajti këtë veprim “hapin përfundimtar drejt instalimit të një diktature” dhe paralajmëroi se askush nuk do të shpëtojë nga ky presion ndaj medias së lirë.

Këlliçi theksoi se News24 është një media profesionale dhe zë i domosdoshëm që duhet mbrojtur si pasuri kombëtare.

“News 24 është një media profesionale, zë i vërtetë dhe i domosdoshëm në tregun mediatik shqiptar, i cili dita-ditës po i largohet misionit të tij real duke u vënë në shërbim të plotë të propagandës qeveritare,” tha ai, duke theksuar se valët e këtij televizioni duhet të mbrohen si një “pasuri kombëtare”.

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka reaguar ashpër ndaj pengimit të gazetarëve të News24, BalkanWeb, Panorama dhe Gazeta Shqiptare për hyrjen në ambientet e tyre.

Ai e cilësoi këtë veprim si një “agresion të armatosur të Ramaduros”, një akt kriminal ndaj lirisë së fjalës, i denjë për regjimet më të errëta diktatoriale.

Blushi dënoi dhunën ndaj gazetarëve dhe theksoi se liritë dhe të drejtat po asgjesohen nga ky regjim që duhet shembur sa më parë.

Qëndresa Qytetare shprehu shqetësim për aksionin e Policisë në News24 dhe mediat partnere, duke theksuar se pengimi i gazetarëve është akt autoritar.

Organizata kërkoi transparencë dhe solidarizohet me stafin e News24, duke ftuar qytetarët të mbrojnë lirinë e medias, që sipas saj është themeli i lirisë së qytetarëve.

Gazetarja e kronikës Anila Hoxha u solidarizua me protestën ndaj ndërhyrjes së Policisë pranë News24, ku puna e dhjetra gazetarëve u ndalua dhe sinjali televiziv u fik.

Në një postim të saj, ajo përshkroi momentin kur ekrani i News24 u ngri në orën 07:36, duke reflektuar pezullimin e punës nga shteti.

Reagimi
Porosita kafen e mëngjesit si përditë.
Hodha sytë nga muri, aty ku ekrani i madh i News 24 tregon orën 07. 36, sipas castit kur u ndërhy nga shteti duke lënë pezull aty punën e dhjetra gazetarëve.

Po protestoj – tha pronari i lokalit. Sipas menyrës time. Pa gazetarë qoftë e ngrirë koha – mu duk se mallkoi më tej !
Desha ta përqafoja.

Drejtoresha e News24, Anila Jola, u shpreh e përlotur për situatën e krijuar, duke theksuar se ky është një akt arbitrar dhe abuziv.

Jola shtoi se 230 punonjësit e televizionit dhe familjet e tyre kanë mbetur pa punë dhe të ardhura, duke e cilësuar këtë situatë si ngjarjen më të dhimbshme të viteve të fundit. 

Ish-kryeministri dhe lideri i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar me tone të forta pas ndërprerjes së sinjalit të televizionit News24 nga autoritetet shtetërore. Në një deklaratë të ashpër, Berisha e ka quajtur këtë akt si një “veprim xhelati ndaj fjalës së lirë” dhe e ka lidhur me traditën represive të regjimit komunist.

Ish-presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka reaguar ashpër ndaj ndërprerjes së sinjalit të televizionit “News 24” dhe rrethimit të këtij institucioni mediatik nga forcat e sigurisë. Ai e ka cilësuar këtë veprim si një “akt kriminal” dhe një sulm të rrezikshëm nga regjimi “Ramaduros”, që sipas tij është armik i lirive, të drejtave dhe dinjitetit njerëzor të shqiptarëve.

Kryetari i Partisë Demokristiane, Nard Ndoka, ka reaguar gjithashtu ndaj ndërhyrjes së policisë në ambientet e News 24, Gazeta Panorama dhe BalkanWeb, duke e cilësuar si një akt të hapur dhune shtetërore ndaj lirisë së shtypit.

Ndoka e konsideron këtë si pjesë të një serie sulmesh ndaj të njëjtit grup mediatik, duke përmendur shembjen e hotelit të tyre, gjobat dhe presionet ndaj pronarit Irfan Hysenbelliu, si dhe mbylljen e sinjalit televiziv nga policia.

Përgatiti për Hashtag.al, Aurora Hoxha