Vendosni fjalën kyçe....

Ministria e Ekonomisë: Dy kontrata qiraje, bllokimi i godinës së Panorama Group nga KAYO është i pabazë



Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI), e drejtuar nga Blendi Gonxhja, ka reaguar pas veprimeve të kompanisë “KAYO SH.a”, e cila bllokoi me forcë ambientet e disa mediave, përfshirë News24, Balkanweb, Panorama TV, Gazetën Panorama, Panorama Sport dhe Gazetën Shqiptare.

Në reagim, MEKI thekson se ekzistojnë dy kontrata qiraje të ndryshme për objektet ku ushtrojnë aktivitetin këto media, të lidhura me institucionet shtetërore. Një kontratë i përket Panorama Group dhe është e vlefshme deri në vitin 2033, ndërsa pasuria që i është kaluar KAYO SH.a. me vendim qeverie në mars 2025 është një pronë tjetër, me kufij dhe numër kadastral të ndryshëm.

Ministria sqaron se ndërhyrja e KAYO SH.a dhe bllokimi i godinave ku operon Panorama Group është në shkelje të kontratave ekzistuese dhe ka shkaktuar ndërprerje të shërbimeve mediatike, duke dëmtuar seriozisht punën e mediave.

MEKI konfirmon se veprimet për marrjen e pronës që iu kalua KAYO SH.a janë në përputhje me ligjin dhe vendimet gjyqësore, por sqarojnë se kjo pronë është e ndryshme nga ajo ku ndodhet Panorama Group dhe kontrata e saj e qirasë e vlefshme deri në 2033.

Ministria i bën thirrje mediave dhe palëve të interesuara për sqarime të mëtejshme, duke theksuar nevojën për informacion të saktë dhe transparencë.