
Deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, komentoi situatën e tensionuar në ambientet e jashtme të News24, ku policia ka bllokuar hyrjen dhe është ndërprerë sinjali i transmetimit të televizionit më të madh informativ në vend.
Në një prononcim për mediat, Boçi tha se ata kanë shkuar për të marrë më shumë informacion rreth aksionit, por nuk janë njoftuar nga asnjë drejtues i policisë apo i grupit që po ndërmerr këtë veprim.
“Pamë lëvizjet e furgonëve të policisë dhe kërkojmë informacion nga drejtuesit, por nuk kemi asnjë emër drejtuesi. Policët janë në detyrë dhe nuk lejohen të tregojnë emrin e udhëheqësit. Gjithçka është në errësirë të plotë,” tha Boçi.
Ai e cilësoi rrethimin dhe ndërprerjen e transmetimit si një “uzurpim” dhe “pushtim territori” të medias, ndërkohë që veprimet po bëhen në emër të një shoqërie të quajtur “KAYO”, pa pasur një vendim gjykate.
“Edhe nëse ka kalime pronësie nga Ministria, çështja është në gjykatë dhe nuk duhej ndërmarrë asnjë veprim pa një vendim të drejtëpërdrejtë gjykate. Këtu po ndodh shumë absurditet dhe heshtje totale në një vend ku duhet të transmetohet e vërteta,” përfundoi Boçi.