Vendosni fjalën kyçe....

Irani transferon shkencëtarët bërthamorë në vende të sigurta pas vrasjeve të organizuara nga Izraeli


 

Irani ka zhvendosur shumicën e shkencëtarëve të tij bërthamorë dhe familjet e tyre në vende të sigurta, përfshirë shtëpi të fshehta në Teheran dhe vila në qytete bregdetare në veri, pas vrasjes së më shumë se 30 kërkuesve nga Izraeli në kuadër të operacionit “Rising Lion”, përcjell YNetNews.

Sipas raportit, shumë nga shkencëtarët që më parë mësuan në universitete janë zëvendësuar me persona pa lidhje me programin bërthamor, ndërsa ata që mbeten po vendosen në vende të sigurta për të shmangur sulmet.

Lista që posedon Izraeli përmban mbi 15 emra të shkencëtarëve të mbetur, të cilëve u duhet të vendosin nëse do të vazhdojnë punën dhe rrezikojnë të bëhen objektiv apo do të ndryshojnë karrierën.

Raporti thekson edhe ekzekutimin e fundit të Roozbeh Vadi, një shkencëtar i akuzuar për spiunazh ndaj Izraelit dhe për lehtësimin e vrasjeve të kolegëve të tij, i cili u var në qershor.

Ekspertët izraelitë përshkruajnë brezin e ri të shkencëtarëve iranianë si “burra që ecin drejt vdekjes” dhe bëjnë me dije se disa prej tyre janë të angazhuar në adaptimin e raketave Shahab-3 me kokat bërthamore, duke i bërë objektiva strategjikë për Izraelin.

Sulmet izraelite në qershor goditën edhe universitetet Shahid Beheshti dhe Imam Hossein në Teheran, që lidhen me programet ushtarake dhe bërthamore të Iranit. Shkencëtarët e mbetur besohet se punojnë në Organizatën për Inovacion dhe Kërkim Mbrojtës (SPND) në projekte të lidhura me eksplozivë, fizikën e neutronit dhe projektimin e kokave bërthamore.