
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) njofton organizimin e një proteste më 11 gusht në mbështetje të gazetarëve të News24, të cilëve u është ndaluar hyrja në ambientet e punës pas pushtimit të godinës nga forcat e shumta policore.
Në një deklaratë për mediat, AGSH dënon fikjen e sinjalit të News24 dhe rrethimin me policë të redaksive të News24, Gazeta Panorama, Gazeta Shqiptare dhe Balkanweb, duke e konsideruar këtë situatë si një sinjal alarmant për gjendjen e demokracisë dhe lirisë së medias në Shqipëri.
“Ky nuk është thjesht një konflikt mes një institucioni dhe një kompanie, por një akt i rëndë që prek të drejtën e qytetarëve për informacion dhe i dërgon një mesazh frikësues çdo gazetari,” thuhet në deklaratë.
AGSH i bën thirrje urgjente Këshillit të Ministrave, Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Mbrojtjes që të sqarojnë me dokumente bazën ligjore të këtij veprimi, duke theksuar se heshtja nuk është opsion.
Në shenjë solidariteti dhe për mbrojtjen e fjalës së lirë, AGSH fton gazetarë, organizata dhe qytetarë të bashkohen në protestë:
E hënë, 11 gusht 2025, ora 12:00, përpara godinës së Fokus Media Group.
“Demokracia vdes në errësirë,” përfundon deklarata.