Vendosni fjalën kyçe....

Starmer kundërshton planin e Izraelit për marrjen e Gazës dhe kërkon armëpushim të menjëhershëm


  Kryeministri britanik Keir Starmer ka kritikuar ashpër planin e Benjamin Netanjahut për të marrë kontrollin e qytetit të Gazës, duke e cilësuar atë si të gabuar dhe duke i bërë thirrje Izraelit që ta rishikojë këtë vendim.

Starmer paralajmëroi se ky veprim vetëm do të shkaktojë më shumë gjakderdhje dhe nuk do të sjellë lirimin e të gjitha pengjeve izraelite që mbahen nga Hamas.

Në një situatë që tashmë ka shkaktuar vdekjen e dhjetëra mijëra palestinezëve gjatë 22 muajve të fundit dhe ka shtyrë territorin drejt një situate skandaloze të urisë, kryeministri britanik bëri thirrje për një ulje të tensioneve dhe një armëpushim të menjëhershëm, përcjell The Guardian.

Në mbledhjen e kabinetit të sigurisë të Izraelit që nisi të enjten dhe zgjati gjatë natës, u miratua plani për të marrë pjesërisht kontrollin e Gazës, pa arritur në atë që Netanjahu kishte synuar fillimisht, marrjen e kontrollit të gjithë territorit të Gazës.

Starmer theksoi nevojën që të dy palët, Izraeli dhe Hamas, të bien dakord për një armëpushim dhe të rinisin negociatat për një zgjidhje me dy shtete, e cila sipas tij po zhduket për shkak të mungesës së dialogut me vullnet të mirë.

“Çdo ditë, kriza humanitare në Gaza përkeqësohet dhe pengjet që mban Hamas po mbahen në kushte të tmerrshme dhe çnjerëzore. Nevojitet një armëpushim, rritje e ndihmave humanitare, lirimi i të gjitha pengjeve nga Hamas dhe një zgjidhje e negociuar,” tha Starmer.

Ai përsëriti se zgjidhja diplomatike është e mundur vetëm nëse të dyja palët largohen nga rruga e shkatërrimit.

Përveç kritikeve të Britanisë, edhe vende të tjera si Finlanda dhe Turqia kanë kërkuar që Izraeli të deeskalojë konfliktin.

Lideri i Liberal Demokratëve britanikë, Ed Davey, akuzoi Netanjahun për “pastrim etnik” në Gaza dhe i kërkoi Starmer-it ndërprerjen e eksportit të armëve drejt Izraelit dhe vendosjen e sanksioneve ndaj kabinetit qeveritar izraelit.

Ministrja e energjisë, Miatta Fahnbulleh, deklaroi për Sky News se vendimi i Izraelit është i gabuar dhe vetëm do të përshkallëzojë dhunën dhe gjakderdhjen.

Starmer paralajmëroi se nëse Izraeli nuk pranon armëpushimin dhe një rrugë për një zgjidhje me dy shtete, Britania do ta njohë Shtetin Palestinez para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në shtator.

Para se të miratohej plani, Netanjahu kishte propozuar që Izraeli të merrte kontrollin e plotë të Gazës dhe më pas ta dorëzonte qeverisjen e territorit në duart e forcave arabe mike që janë kundër Hamas.

Megjithatë, plani i shpallur më 8 gusht nuk arriti deri aty, pasi shefi i ushtrisë izraelite shprehu shqetësime se një përshkallëzim i tillë do të rrezikonte jetën e rreth 20 pengjeve të mbetura dhe do të rëndonte edhe më shumë forcën ushtarake pas dy vite luftë në fronte të ndryshme.

Edhe familjet e pengjeve janë kundër planit, duke frikë për jetën e të dashurve të tyre në rast të përshkallëzimit të mëtejshëm.