
Numri i migrantëve të paligjshëm që mbërrijnë në ishullin grek të Kretës ka rënë ndjeshëm pas vendimit të Qeverisë greke për të pezulluar për tre muaj seancat dëgjimore për azil – një masë e kontestuar nga grupet për të drejtat e njeriut. Ministri i Migracionit, Thanos Plevris, tha më 7 gusht se vendimi ka pasur efekt të menjëhershëm në uljen e fluksit, përcjell REL.
Vetëm në javën e parë të korrikut, Kreta kishte pranuar 2.642 migrantë, ndërsa pas datës 9 korrik – kur u njoftua pezullimi – kjo shifër ka rënë në më pak se 900 persona.
“Mesazhi i qartë se shteti nuk do të japë më azil për tre muajt e ardhshëm dhe se migrantët do të ndalohen, duket se ka dhënë efekt,” tha Plevris për transmetuesin publik ERT.
Rritja e befasishme e mbërritjeve këtë verë nga Libia drejt Kretës – një itinerar jo i zakonshëm krahasuar me rrugën përmes Egjeut – e gjeti Greqinë të papërgatitur. Më shumë se 7.000 migrantë kanë zbarkuar në Kretë dhe ishullin e vogël Gavdos që nga fillimi i vitit, krahasuar me 4.935 në gjithë vitin 2024.
Situata ka shkaktuar zemërim mes banorëve lokalë dhe aktorëve të sektorit të turizmit, duke rritur trysninë ndaj qeverisë së kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, i cili vetë ka prejardhje nga Kreta. Në vijim të pezullimit të azilit, qeveria propozoi një ligj të ri që parashikon ndalimin e migrantëve për dy vjet në rast hyrjeje të paligjshme dhe deri në pesë vjet nëse qëndrojnë ilegalisht në vend.
Grupet humanitare dhe agjencitë për të drejtat e migrantëve e kanë dënuar vendimin si shkelje të së drejtës ndërkombëtare. UNHCR ka shprehur “shqetësim serioz” për masat. Pavarësisht kritikave, Ministri Plevris tha se qeveria do të synojë ta kthejë këtë masë në ligj brenda muajit shtator.