
Pesë punonjës të stafit teknik të një subjekti minerar në Bulqizë janë arrestuar, pasi dyshohet se nuk morën masat e nevojshme për sigurinë në punë, çka çoi në vdekjen e një 66-vjeçari gjatë punës në galeri.
Ngjarja ndodhi si pasojë e rrëzimit të një masivi shkëmbor brenda në minierë. Sipas hetimeve të para, punonjësit e arrestuar nuk kishin garantuar kushtet e duhura të sigurisë teknike. Ata do të hetohen për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me pasojë vdekjen.
Njoftimi:
Bulqizë
Nuk morën masa për sigurimin e kushteve të mbrojtjes në subjektin minerar ku humbi jetën dje, shtetasi F. V., arrestohen 5 punonjës të stafit teknik.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera me qëllim zbardhjen e përgjegjësive dhe rrethanave, në lidhje me ngjarjen e djeshme, të ndodhur në një subjekt minerar në Bulqizë, ku humbi jetën shtetasi F. V., 66 vjeç, dyshohet se si pasojë e rënies së një masivi shkëmbor, gjatë punës në galeri, shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë arrestuan në flagrancë shtetasit Nj. P., 46 vjeç, B. Ç., 68 vjeç, F. T., 61 vjeç, E. K., 35 vjeç dhe E. Xh., 51 vjeç, të gjithë punonjës të stafit teknik të subjektit minerar.
Nga hetimet e deritanishme rezulton se këta shtetas, me veprimet ose mosveprimet e tyre, nuk kanë marrë masat e duhura për garantimin e kushteve të sigurimit teknik të punës në subjektin minerar.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Dibrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me pasojë vdekjen.