Vendosni fjalën kyçe....

Johnson: Ndërhyrja ruse në Ukrainë do jetë katastrofë politike, humanitare dhe ushtarake


Kryeministri britanik, Boris Johnson, pas takimit në Kiev me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se inkursioni i mëtejshëm rus në Ukrainë do të ishte një fatkeqësi politike, humanitare dhe ushtarake

Në konferencën e përbashkët për media me presidentin Zelensky, duke iu përgjigjur pretendimeve ruse se vendet perëndimore e kanë ekzagjeruar kërcënimin, kryeministri Johnson tha se inteligjenca sugjeron një “fushatë të afërt ushtarake”.

Johnson dhe Zelensky u takuan në kryeqytetin ukrainas për të “diskutuar mbi aktivitetin e vazhdueshëm armiqësor rus, përfshirë edhe ngritjen ushtarake”.

“Ne shohim një numër të madh trupash që po grumbullohen, ne shohim përgatitjet për të gjitha llojet e operacioneve që janë konsekuent me një fushatë ushtarake të afërt”, tha Johnson.

Ai tha se rusët duhet të kuptojnë realitetin se Ukraina “do të luftojë” dhe se ka 200 mijë njerëz të gatshëm të bëjnë një “rezistencë shumë të ashpër dhe të përgjakshme”.

“Shpresoj shumë që presidenti (Vladimir) Putin të tërhiqet nga rruga e konfliktit dhe që ne të angazhohemi në dialog. Kjo është ajo që Mbretëria e Bashkuar synon të prodhojë dhe kjo është arsyeja se unë jam këtu sot”, tha Johnson, duke shtuar se ai nesër do të bisedojë me presidentin Putin.

Një telefonatë midis liderit rus dhe atij britanik ishte planifikuar për sot, por më vonë u shty për të nesërmen.

Presidenti Zelensky, nga ana e tij, tha se duhet të jenë të përgatitur për “gjera të këqija”, si dhe u zotua se ukrainasit do të luftojnë “deri në fund”.

Ai i kërkoi Rusisë që “të dëgjojë dhe të kuptojë se lufta është diçka që askujt nuk i duhet”, si dhe pohoi se do të ketë “një tragjedi” në rast agresioni kundër Ukrainës.

Zelensky po ashtu theksoi se “kjo nuk do të jetë një luftë midis Ukrainës dhe Rusisë”, por do të jetë “një luftë evropiane dhe një luftë e plotë”.

Në një deklaratë të përbashkët nga Johnson dhe Zelensky thuhet se “Mbretëria e Bashkuar qëndron krah për krah me Ukrainën përballë agresionit të vazhdueshëm rus, i cili kërcënon paqen dhe sigurinë rajonale, si dhe minon rendin global”.

Të dy liderët gjatë takimit theksuan se është e drejtë e “çdo ukrainasi të përcaktojë të ardhmen e tij”.

Ata paralajmëruan se çdo inkursion i mëtejshëm rus në Ukrainë do të ishte “gabim masiv strategjik dhe do të kishte një kosto të madhe humanitare”.

Të dy vendet, thuhet në njoftim, u pajtuan “të punojnë së bashku për të forcuar sigurinë dhe aftësinë e Ukrainës për të mbrojtur veten”.

Liderët po ashtu shprehën “angazhimin e tyre për të forcuar sigurinë energjetike të Ukrainës dhe për të mbështetur përpjekjet e saj drejt tranzicionit të gjelbër”.

Johnson, thuhet më tej në njoftim, “njoftoi 88 milionë paund (118.9 milionë dollarë) fonde të reja për të ndihmuar përpjekjet për të ndërtuar elasticitetin e Ukrainës dhe për të reduktuar varësinë nga furnizimet ruse të energjisë”.