
Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se një operacion i gjerë është duke u zhvilluar në zonat e Çerkovicës dhe Dhivrit, në bashkinë Finiq, ku flakët e zjarrit kanë përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme.
Në operacion janë angazhuar efektivët zjarrfikës të mbështetur nga Forcat e Armatosura, Policia e Shtetit si dhe ndërhyrja nga ajri. Prej orësh, ekipet po punojnë në kushte të vështira për të vënë nën kontroll vatrat aktive dhe për të ndaluar përhapjen e mëtejshme të flakëve.
Për shkak të rrezikut, autoritetet kanë ndërmarrë masa për evakuimin e përkohshëm të disa banorëve që ndodhen pranë perimetrit të zjarrit. Ndërkohë, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile po ndjek nga afër situatën dhe koordinon veprimet me të gjitha strukturat përkatëse.
Zjarri në Finiq është vetëm një nga disa vatrat aktive në vend, teksa temperaturat e larta dhe erërat e forta kanë vështirësuar ndjeshëm ndërhyrjen në terren. Autoritetet apelojnë për kujdes dhe bashkëpunim nga banorët e zonës.