
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një letër nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, në të cilën ai e falënderon për përkushtimin ndaj miqësisë me SHBA-në dhe për lidershipin e saj të guximshëm.
Në letrën e dërguar, Trump ka vlerësuar vendimin e Kosovës për të pranuar shtetas nga vende të treta, duke e cilësuar këtë si një tregues të bashkëpunimit të fortë me Shtetet e Bashkuara dhe si një akt që pasqyron forcën dhe dhembshurinë e popullit kosovar.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kosova ndajnë një lidhje të thellë, të bazuar në respekt të ndërsjellë, vlera demokratike të përbashkëta dhe një vizion për një të ardhme paqësore dhe të begatë. Përkushtimi juaj për forcimin e kësaj lidhjeje nuk ka kaluar pa u vërejtur,” shkruan Trump në letër.
Ai shpreh bindjen se partneriteti mes dy vendeve do të thellohet edhe më tej në vitet në vijim dhe e cilëson Presidenten Osmani si “një mike të vërtetë të Shteteve të Bashkuara”.
Në fund të letrës, Trump i përcjell Osmanit edhe përshëndetjet dhe urimet më të mira nga Zonja e Parë, Melania Trump.